Secondary Adv

DPSHTRR: Auto Moto Park Albania, qellimi dhe perfitimet e projektit

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor e cilëson projektin e Auto Moto Park si një nga më ambiciozët në parashikimet e saj.

 

Në një informacion përmbledhës të vënë në dispozicion të “Monitor”, DPSHTRR konfirmon se projekti synon krijimin e kompleksit të parë shumëfunksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit, dhe jo vetëm.

 

“Një hapësirë që do të sjellë, për herë të parë, kulturën e motorsportit në kushte sigurie të plotë në Shqipëri, që do të mundësojë zhvillimin e garave kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, në asfalt dhe jashtë tij, evidentimin dhe promovimin e talenteve të reja në motorsport, e gjitha sipas standardeve të përcaktuara nga FIA dhe FIM.

 

Një park që do të promovojë rritjen e sigurisë rrugore, me metoda të provuara, me programe specifike për publikun e zakonshëm, për profesionistët e fushës së transportit dhe për drejtuesit e mjeteve të ndihmës së shpejtë.

 

Këto hapësira do të mundësojnë lulëzimin e disiplinave të reja, si fluturimet sportive, çiklizmi i kronometruar në pistë dhe offroad, etj.

 

Programe specifike që do të ndihmojnë në rritjen e komunitetit të mjeteve historike Retro, nëpërmjet gjetjes, ruajtjes dhe rindërtimit të mjeteve që paraqesin interes historik, e gjitha duke garantuar formimin dhe kualifikimin e profesionistëve të rinj të auto-mekanikës”, nënvizon Drejtoria.

 

Qëllimi i projektit

– Struktura do të ketë në qendër Autodromin e parë të përmasave ndërkombëtare në Shqipëri, një pistë multidisiplinore e asfaltuar, me gjatësi rreth 3,800 metra.

 

Pista do të pajiset me të gjitha homologimet e nevojshme nga FIA dhe FIM, për të mirëpritur aktivitete garuese të niveleve të ndryshme, qoftë ato gara lokale apo ndërkombëtare, në disiplina të larmishme, duke filluar nga Karting e deri te disiplinat më të avancuara të automobilizmit e motoçiklizmit.

 

– Pistë offroad për të zhvilluar, në mënyrë të kontrolluar, sportet motorike që ushtrohen jashtë rruge, si Motocross, Trial, Crosscar, Autocross, Rallycross, etj.

 

– Mundësia për të shfrytëzuar hapësirat e strukturës për të zhvilluar sporte të tjera, të cilat deri më sot nuk kanë pasur hapësira të përshtatshme për të lulëzuar në nivelet e duhura.

 

Mund të përmendim këtu çiklizmin (i kronometruar dhe offroad), apo sportet ajrore për mjete ultra të lehta (Gliders, Paragliders, Hang Gliders, Balona, Skydiving, etj.). – Akademia Kombëtare e Sigurisë Rrugore do të jetë gjithashtu në fokus të këtij projekti.

 

E konceptuar për të ofruar më të mirën në fushën e trajnimit mbi sigurinë rrugore, kjo qendër formimi do të përfshijë një infrastrukturë që mundëson kurse trajnimi të niveleve të ndryshme.

 

Programi formues do të jetë gjithashtu i diversifikuar, duke filluar nga kurset për drejtuesit e zakonshëm të mjeteve, të cilët kërkojnë më shumë siguri në udhëtim, e deri te drejtuesit profesionistë,

 

siç janë drejtuesit e flotave tregtare, transportit të udhëtarëve, forcat e ruajtjes së sigurisë fizike, ata që përdorin mjetet e ndihmës së shpejtë (Polici, Ambulancë, Zjarrfikës, etj.), forcat e Ushtrisë, etj.

 

– Në kuadër të zhvillimit të komunitetit Retro, do të ndërtohet edhe Akademia e Restaurimit të mjeteve historike.

 

E zhvilluar në bashkërendim me institucionet arsimore të nivelit të mesëm dhe të lartë që trajtojnë auto-mekanikën në programin e tyre, si dhe me auto-ofiçinat më në zë për restaurimin e mjeteve historike, kjo Akademi do të ketë qëllim të dyfishtë, në funksion të aktivitetit të saj:

 

së pari hulumtimi dhe shpëtimi i mjeteve me interes historik, me synim pasurimin e kulturës Retro dhe rritjen e inventarit të mjeteve historike në Shqipëri;

së dyti, zhvillimi i zanateve dhe profesioneve që lidhen me mirëmbajtjen dhe restaurimin e mjeteve historike.

 

– Akademia e Motorsportit synon të ndërtojë kulturën e munguar të motorsportit në Shqipëri, duke zhvilluar në mënyrë të disiplinuar këtë pasion te brezat e rinj, të cilët synojnë të ushtrojnë këtë sport.

 

Synimi i fundit do të jetë evidentimi i talenteve të reja në motorsport, formimi, kualifikimi dhe promovimi i tyre për pjesëmarrjen në kompeticione ndërkombëtare nën flamurin shqiptar.

 

Përfitimet sipas DPSHTRR

– Krijimi i një strukture multifunksionale të certifikuar për motorsport, siguri rrugore e shumë më tepër, unike në llojin e saj në Shqipëri, por edhe më gjerë në rajon;

 

– Zhvillimi i kulturës së motorsportit në kushte sigurie të plotë dhe në formë të kontrolluar për garuesit, duke i larguar nga garat ilegale në rrugët publike dhe duke minimizuar mundësinë për incidente ekstreme me pasoja të pakthyeshme;

 

– Promovimi i disiplinave të reja sportive në motorsport e jo vetëm, e pamundur pa praninë e një strukture të tillë në vend;

 

– Evidentimi dhe formimi i një brezi të ri sportistësh amatorë e profesionistë, në disiplinat e ndryshme të automobilizmit, motoçiklizmit, sporteve ajrore, e shumë më tepër;

 

– Përmirësimi i drejtpërdrejtë i sigurisë rrugore, nëpërmjet kurseve formuese të posaçme për grupmosha e përdorues të ndryshëm të rrugës, që do të sjellin rezultate të prekshme afatgjata,

 

jo vetëm në statistikat mbi aksidentet me pasoja të rënda, por edhe në rritjen e kulturës rrugore dhe uljen e sjelljes agresive në rrugë për mijëra udhëtarë në vend;

 

– Ruajtja dhe zhvillimi i komunitetit të mjeteve historike Retro, nëpërmjet evidentimit dhe shpëtimit të shumë mjeteve të harruara, të cilat përfaqësojnë një pasuri kulturore e historike për t’u kuruar;

 

– Promovimi territorial në nivel lokal dhe rajonal, nëpërmjet rritjes së turizmit specifik sportiv, frekuentuesve profesionalë dhe të pasionuarve të shumtë;

 

– Rritja e indeksit të punësimit në nivel lokal dhe rajonal në mënyrë të drejtpërdrejtë, nëpërmjet hapjes së vendeve të punës fikse dhe sezonale, brenda strukturës së Auto Moto Park, si dhe në mënyrë indirekte nëpërmjet zhvillimit të bizneseve të shërbimit në zonat rrethuese;

 

– Ruajtja dhe zhvillimi i një game të gjerë profesionesh dhe zanatesh që lidhen me riparimin, rinovimin dhe restaurimin e mjeteve me interes historik, si dhe atyre që lidhen me aktivitetet e motorsportit dhe sigurisë rrugore.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/dpshtrr-auto-moto-park-albania-qellimi-dhe-perfitimet-e-projektit/


Më të lexuarat