Secondary Adv

INSTAT: Cmimet e prodhimit pesuan renie per te pestin tremujor radhazi

Indeksi i çmimeve të prodhimit pësoi rënie për të pestin tremujor radhazi. Sipas Institutit të Statistikave, për tremujorin e katërt të vitit 2015 indeksi i çmimeve të prodhimit ra me 2.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.


Rënia e vazhdueshme e çmimeve të prodhimit gjatë vitit 2015 vlerësohet se ka ardhur kryesisht si rezultat i çmimit të ulët të lëndëve të para dhe ndikimin kryesor, jo rastësisht, e ka dhënë industria nxjerrëse. Për tremujorin e katërt, çmimet e prodhimit në këtë degë janë ulur me 9.5%.Brenda kësaj industrie vihet re ulja e çmimeve të prodhimit të produkteve në aktivitetin “Nxjerrja e naftës bruto dhe gazit natyror” me 15.3%. Edhe në degën e prodhimit të energjisë elektrike çmimet kanë rënë me 0.8%, ndërsa industria përpunuese ka qenë e vetmja që ka regjistruar një rritje modeste të çmimeve të prodhimit, me 0.3% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.


Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit dhe ecuria e tyre është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të bizneseve. Një ulje e çmimeve të prodhimit nënkupton më pak stimuj të ndërmarrjeve për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat.Ndonëse rënia e vitit të kaluar vlerësohet sidomos si efekt i uljes së çmimeve të lëndëve të para, rënia e çmimeve është edhe një tregues i dobësisë së kërkesës agregate në ekonomi.Çmimet e prodhimit kanë sigurisht edhe një vlerë orientuese për prirjet e inflacionit në të ardhmen e afërt. Një rritje e ulët e çmimeve të prodhimit përcillet në rritje gjithashtu të ulët të çmimeve të konsumit.Vlerat negative të indeksit të çmimeve të prodhimit pritet të përcillen në rritje të dobët të inflacionit gjatë muajve të ardhshëm. Rënia e ndjeshme e çmimeve ka prekur njëlloj ato të destinuara për eksport dhe ato që shiten në tregun vendas. Sipas Instat, indeksi i çmimeve të prodhimit për eksportin ka rënë me 2.2%, ndërsa për tregun vendas me 2.3%.


Më të lexuarat