Kolaudimi i matesve te energjise, ndryshojne procedurat per kompanite
Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për ndryshimin e kontratës tip për kolaudimin e matësve të energjisë.
Vendimi ka ardhur pas kërkesës së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që ka në fokus liberalizimin e tregut, duke zgjeruar numrin e kompanive që e ofrojnë këtë shërbim aktualisht.
Në shkresë, OSSH e sheh me vlerë dhënien e autorizimeve të tjera, me qëllim rritjen e rezultatit, shpejtësinë e proceseve dhe shkurtimin e afateve të testimit periodik apo dhe gjithë proceseve të tjera që do të kryhen prej saj, në bashkëpunim me subjektet e autorizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.
Po ashtu, kërkohen ndryshim i frekuencës së verifikimit, që aktualisht është 2 vjet. “Vendosja e një afati të ri, do të mund të ndjekë më mirë dinamikën e zhvillimit të sistemit elektroenergjetik në tërësi dhe atë të sistemit të matjes në veçanti.
Sistemi i matjes së energjisë elektrike zë një rol të veçantë edhe në dinamikën e hapjes dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në vendin tone”, – thuhet ndër të tjera në shkresë.
Nga ana tjetër kërkohet përjashtimi i Drejtorisë së Përgjithme të Metrologjisë në përgatitjen e planit vjetor të shërbimeve, duke sqaruar se plani i testimit periodik të matësve është një proces tërësisht i shoqërisë OSSH sh.a. dhe si i tillë, nuk mund të diktohet nga asnjë institucion tjetër.
“Do të ishte me vend që roli i DPM-së në këtë proces të reduktohej vetëm në kontrollin e periudhave të testimit të matësve, sipas Kodit të Matjes’, – argumenton OSSH.
Gjithsesi, do të jetë vendimi përfundimtar i ERE-s, që do të prcaktojë nëse kërkesat do të merren në konsideratë dhe do të miratohen./Burimi: SCAN