
Kontabilistet kunder deklarimit automatik te librave, rrit kostot per bizneset
Ndërprerja e plotësimit manualisht në exel të librave të shitjeve-blerjeve dhe dorëzimi i tyre automatikisht në SelfCare pritet të krijojë probleme për 80% të bizneseve.
Kontabilistët ngrenë njëzëri shqetësimin se ndërprerja për plotësimin manualisht të librave është vendim i nxituar i administratës tatimore, në një kohë kur mbeten ende të pazgjidhura një sërë problemesh të sistemit.
Administrata tatimore njoftoi se tashmë të gjithë tatimpaguesit duke filluar nga periudha tatimore e muajit mars, librat e shitjes dhe blerjes nuk do t’i ngarkojnë më manualisht në format exel, por do të transferohen automatikisht në e-Filing nëpërmjet fiskalizimit.
Afati për mbylljen e tij do të jetë data 10, në të kundërt do të dorëzohen automatikisht nga sistemi.
Kontabilistët dhe ekspertët tatimore rendisin disa problematika ende të pazgjidhura, siç është vonesa në shfaqjen e faturave të mallrave të importit, saktësimi faturë për faturë të TVSh për blerjet e përjashtuara, apo faturat për blerje për investime që nuk shfaqen më vete në SelfCare që pamundësojnë plotësimin e librave në sistem.
Eksperti tatimor Mikel Alla tha se ky vendim është i parakohshëm në një kohë kur një sërë problematikash rezultojnë të pazgjidhura. “Është e parakohshme! Sistemi nuk është ende gati për këtë proces, për 6 arsye kryesore:
Jo të gjitha importet mund të fiskalizohen ose të fiskalizohen në afat. Në SelfCare është hequr opsioni i NIPTIT të huaj; 2. Disa fatura të fiskalizuara shfaqen të transaksionet, por jo të pasqyra mujore;
3. Disa fatura blerje shfaqen më datë 11, me efekte nga data 10; 4. Nuk mund të saktësohen të gjitha librat më datë 10, pasi vetëm atëherë mund të shfaqen të gjitha faturat (përveç atyre të datës 10) pasi është ngarkesë e madhe, për zyrat e kontabilitetit;
5. Nuk është zgjidhur teknikisht nga të gjitha kompanitë e fiskalizimit kategorizimi i shitjeve dhe raportohen në mënyrë të gabuar në SelfCare. P.sh një furnizim pa TVSH raportohet, si furnizim i përjashtuar;
6. Është shumë i vështirë procesi i llogaritjes dhe saktësimit në SelfCare të përjashtimit nga TVSH-ja ose e kredititimit të pjesshëm të TVSH-së për çdo faturë, ndërkohë që në programin excel është shumë herë më e thjeshtë. Në këtë mënyrë po vështirësohet raportimi tatimor”.
Alla tha për Monitor se ka edhe probleme të tjera të pazgjidhura, siç hyrja në libra të faturave të refuzuara, që nuk duhet të përfshihen. Ai rekomandoi se tatimet duhet të vazhdojnë ende me procedurën e raportimit tatimor në mënyrë manuale derisa të rregullohet plotësisht infrastruktura.
Edhe për kontabilistin Sotiraq Dhamo problemet e mësipërme dhe të tjera vijojnë të mos zgjidhen. Për këtë arsye ai rekomandon që së pari të zgjidhen këto probleme, me qëllim që të funksionojë sistemi, më pas të bëhet njoftimi për deklarimin automatik.
“Pritej që DPT të bente korrigjimin dhe saktësimin e SelfCare për këto probleme dhe pastaj të bënte deklarimin automatik. Nuk ka sens të bëhet me këtë nxitim. Duhet të bëhen korrigjimet në SelfCare.
Të dalin deklaratat doganore në moment, të mos dalin në librat e SelfCare faturat e refuzuara etj. Ndërkohë për muajin tatimor mars njoftimi shpallet sot, kur duhet të ishte bërë më parë”, nënvizoi ai.
Prania e mjaft problemeve për sistemin e fiskalizimit, si ajo e saktësimit të TVSH-së për blerjet e përjashtuara, vonesat me faturat e importit, apo afati i mbylljes së librave që nuk korrespondon më atë të mbylljes së faturës theksohen edhe nga kontabilisti Amand Mala.
“P.sh, një subjekt (nuk është subjekt TVSH-je), faturat e blerjes që vijnë në SelfCare janë me TVSH apo pa TVSH (varet nga statusi i faturës së lëshuesit), ndërkohë subjekti duhet të korrigjojë të gjitha faturat t’i beje pa TVSH, sepse nuk është subjekt TVSH-je.
Imagjinoni një subjekt me qindra fatura në vlerë të vogël, që i duhet të hyjë faturë më faturë që të bëjë saktësime.
Gjithashtu data 10 për mbylljen e librave nuk ka sens, pasi lëshuesi i faturës ka afat deri më datën 10 ta lëshojë faturën për muajin paraardhës. Madje faturat shfaqen edhe në darkë vonë apo datë 11 me efekt për muajin paraardhës.”
Sipas tij me gjendjen aktuale që është SelfCare 80% e bizneseve pritet të bëjnë korrigjime, duke shtuar barrën e deklaruesve, por edhe të tatimeve që janë përpunuesit e informacionit.
Mala rekomandon që për shkak të kësaj situate është shumë e nevojshme nga administrata tatimore të sistemohen së pari afatet dhe të zgjidhen problematikat. Afati i të drejtës së lëshimit të faturave për muajin paraardhës mos të jetë i njëjtë me ditën e fundit të mbylljes së muajit.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kontabilistet-kunder-deklarimit-automatik-te-librave-pa-zgjidhur-problemet-ne-selfcare-80-e-bizneseve-do-bejne-korrigjime-me-fiskalizimin/
Më të lexuarat








