Secondary Adv

Inventari i pronave, 43.942 dosje kane marre vendim

Agjencia e Trajtimit të Pronave zbardh regjistrin e vendimeve mbi pronat për të gjithë vendin që nga viti 1993 dhe deri tani. Në total janë 43.942 dosje, të ndara sipas qarqeve, në 12 të tilla.

 

Referuar tabelës që është publikuar në faqen zyrtare të ATP-së, mësohet se në qarkun e Tiranës, nga viti 1993 dhe deri tani janë marrë 6.546 vendime, në qarkun e Korçës 7.953 vendime, ndërsa në qarkun Vlorë 4.992 vendime.Qarku ku janë marrë më pak vendime është ai i Kukësit, me 943 vendime. Sipas ATP-së, deri tani rreth 90.459 ha tokë u janë kthyer subjekteve të shpronësuara, nga të cilat, 4.359 ha truall, 4.138 ha tokë bujqësore, 79.879 ha tokë pyjore dhe 2.083 ha tokë e kombinuar. Ndërkohë, ATP-ja bën të ditur se në arkivën e AKKP-së gjenden tashmë 46.916 dosje dhe 9.400 dosje ende pa vendim.

 

“Agjencia ka marrë përsipër përgjegjësinë për fillimin e shqyrtimit të të gjitha dosjeve pa vendim, në mënyrë të unifikuar, dhe ka marrë masa konkrete për nxjerrjen nga arkiva të të gjitha atyre dosjeve për të cilat gjatë 4 viteve të fundit administratorët e mëparshëm nuk kanë ushtruar iniciativën e shqyrtimit dhe hetimit administrativ të tyre. Në mbështetje nga donatorë, AKKP-ja finalizoi projektin-pilot të pozicionimit hartografik dhe hedhjen e të dhënave tekniko–ligjore të të gjithë vendimmarrjes së realizuar nga viti 1993-2013 në qarkun e Vlorës. Ky projekt-pilot i rëndësishëm ka ambicien të realizojë pozicionimin hartografik të vendimmarrjes në të gjithë territorin e Shqipërisë, që do të ishte çelësi i një vendimmarrjeje të saktë, pa mbivendosje, të drejtë dhe reale”, thuhet në faqen zyrtare të ATP-së.


Më të lexuarat