Tatimet,Korriku muaji me te ardhurat me te larta te mbledhura ne 23 vite
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, korriku mund të konsiderohet si muaji me rezultatet më të larta historike në mbledhjen e të ardhurave në 23 vite, si dhe me vlerën më të lartë të TVSH-së së rimbursuar.
Drejtoria e Tatimeve bën të ditur se në total janë mbledhur mbi 16 miliardë lekë, rreth 10.8% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ku totali i të ardhurave të mbledhura ishte 14.4 miliardë lekë. “TVSH-ja e rimbursuar gjatë muajit Korrik në vlerën prej rreth 1.5 miliardë lekë, është vlera me e lartë historike e rimbursimit të saj”- thekson DPT-ja.
“Të ardhurat e mbledhura për muajin Korrik 2014, sipas zërave kryesore:
- Kontribute të Sigurimeve Shoqërore, janë mbledhur 5.9 Miliardë Lekë ose rreth 716 Milionë Lekë më shumë se muaji Korrik 2013, duke realizuar një rritje prej 13.75 % më shumë se kjo periudhë e mëparshme. Krahasuar me planifikimin e mbledhjes së të ardhurave kjo shifër është 1.23% më e lartë.
- TVSH, janë mbledhur 2.98 miliardë lekë ose rreth 977 milionë lekë më shumë se planifikimi i parashikuar për këtë muaj. E shprehur në % kjo shifër është rreth 49 % më shumë se planifikimi. Krahasuar me Korrik 2014, janë mbledhur rreth 396 milionë lekë apo mbi 15.34% më shumë TVSH. Po kështu, rimbursimi i TVSH-së për muajin Korrik 2014 është rreth 1.5 miliardë lekë, ose rreth 91.5 % më shumë se rimbursimi i muajit Korrik 2013.
- Tatim mbi Fitimin, gjatë muajit Korrik janë mbledhur 1.43 miliardë lekë, 46.6% më shumë ose rreth 455 milionë lekë më shumë se muaji Korrik 2013. Kundrejt planifikimit të mbledhjes së të ardhurave kjo shifër është 2.17 % më e lartë.”- thuhet në njoftimin e DPT-së.
“Realizimi i të ardhurave të pritshme për 7 mujorin, Janar – Korrik 2014, tregon rritje prej 13.11% krahasuar me Janar – Korrik 2013, me një total 101 miliardë ose mbi 11.7 miliardë lekë më shumë. Totalin e të ardhurave të mbledhura më shumë për këtë periudhë, e përbëjnë më shumë se 1.6 miliardë lekë ose 8.71% më shumë TVSH, rreth 3.17 miliardë lekë ose 33.6% më shumë Tatim mbi Fitimin, rreth 3.3 miliardë lekë më shumë ose 10.17 % më shumë Kontribute të sigurimeve shoqërore, etj.”- përfundon deklarata e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.