OKB, 1.9 milion dollare per rehabilitimin e lagunes se Kune-Vanit
OKB-ja ndërhyn për rehabilitimin e lagunës së Kune-Vainit. Fondi Global Mjedisor (GEF), nëpërmjet Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara, do të shërbejë si një agjenci zbatuese për fondin prej 1 903 000 dollarësh, të dhënë nga GEF-ja për Ministrinë e Mjedisit.
Burime nga Kuvendi njoftojnë se këto ditë do të nisë shqyrtimi dhe miratimi i marrëveshjes mes qeverisë dhe programit mjedisor të Kombeve të Bashkuara (UNEP), për Fondin Global Mjedisor, për projektin “Ripërtëritja e lagunës Kune-Vaini, nëpërmjet përshtatjes së bazuar në ekosistem”, i cili do të realizohet nëpërmjet një granti të akorduar nga Fondi Global i Mjedisit (GEF)
Në fokus të projektit është ekosistemi, arritja e përshtatjes të lagunës së Kune-Vainit, si dhe komuniteteve banuese pranë saj. Marrëveshja, sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dërguar Kuvendit, synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social të zonës së Kune-Vainit, duke bërë të mundur dhe rritjen e kapaciteteve në nivel qendror dhe të komuniteteve lokale që jetojnë pranë sistemit të lagunës, që të përshtaten ndaj ndryshimit të klimës.
UNEP-i do të sigurojë që aktivitetet të kryhen në përputhje me politikat, kriteret dhe procedurat e UNEP-it dhe GEF-it. Kjo marrëveshje hyn në fuqi me nënshkrimin e palëve dhe do të vazhdojë deri më 30 qershor 2019 (me përjashtim nëse përfundohet më herët). Megjithatë, nisja efektive e projektit do të jetë data e marrjes nga agjencia ekzekutuese e këstit të parë të fondeve. Në programin buxhetor afatmesëm 2016-2018 janë planifikuar financimi i huaj dhe kontributi i qeverisë shqiptare, në formën e kostos lokale, brenda tavaneve të miratuara nga Ministria e Financës, për të mbështetur projektin, si pjesë e buxhetit të Ministrisë së Mjedisit.
Projekti do të ketë këta komponentë: i. Kapaciteti teknik dhe institucional për të adresuar rreziqet e ndryshimit të klimës; ii. Rikuperimi i klimës nëpërmjet demonstrimit të praktikës më të mirë konkrete dhe ndërhyrje adaptimi në sistemin e lagunës Kune-Vaini; iii. Ndërgjegjësimi i komunitetit; iv. Menaxhimi i projektit.