Secondary Adv

Qeveria rrit me 60 per qind pagesen e papunesise

Dyfishohet pagesa e papunësisë. Qeveria ka miratuar dje vendimin “Për  caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia”, në të cilin është parashikuar rritja me gati 60 për qind e pagesës për të papunët. Konkretisht nga 6850 lekë që kishin të drejtë të përfitonin, tanimë do të kenë mundësi të marrin 11 mijë lekë.


Kjo, sipas ministrit Klosit, është bërë në përputhje edhe me konventën ndërkombëtare të punësimit, ILO, ku ne aderojmë.
“Kemi marrë vendimin për të rritur me 60% pagesën bazë të papunësisë, e cila nga 6850 lekë në muaj, bëhet sot 11 mijë lekë në muaj apo 110 mijë lekë të vjetra. Ky është një vendim tejet i rëndësishëm, jo vetëm për shkak të shifrës 60%, por edhe pasi kjo rritje ndodh për herë të parë pas shumë vitesh që kjo pagesë ka qenë e niveleve të ulëta. Falë rritjes prej 60% të nivelit bazë të pagesës së papunësisë, Shqipëria përmbush edhe detyrimin që lind nga konventa ndërkombëtare e ILOs, në të cilën thuhet se pagesa e papunësisë duhet të jetë të paktën sa 50% e pagesës minimale në shkallë vendi”, tha Klosi.
Kujtojmë që rritja e fundit është bërë para 5 vitesh, përkatësisht në gusht të vitit 2011, ku kjo pagesë u rrit përkatësisht me 3 mijë lekë. Ndërkohë ajo që ka ndryshuar nuk është vetëm pagesa, por edhe kriteret që duhen përmbushur për ta përfituar.


Qeveria është treguar zemërgjerë me nivelin e të ardhurave mujore që të papunët do të marrin, por, nga ana tjetër, ka vendosur kufij lidhur me kohëzgjatjen e përfitimit. Bazë për këtë do të shërbejnë kontributet e derdhura. Kështu, ata që kanë vetëm një vit të siguruar, u lind e drejta të marrin vetëm tri paga në masën 11 mijë lekë secila. Ata që kanë kontribuar pesë vite, do të marrin 9 paga dhe ata që kanë mbi 10 vite sigurime, do të marrin për 1 vit rresht pagesën e papunësisë. Më parë mjaftonte të kishe vetëm një vit sigurime dhe trajtoheshe me pagë për 12 muaj.


Ministri Klosi e përligji kështu: “Vendimi sjell edhe më shumë drejtësi për të gjithë ata që kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore. Kështu, nga sot, ata që kanë kontribuuar më shumë në skemë, do të përfitojnë më gjatë pagesën e papunësisë. Ata që kanë paguar më pak, sigurisht edhe do të përfitojnë më pak. Por synimi ynë është që të zbusim sa më shumë shkallën e papunësisë në vend”.


Vlen të theksohet se qëllimi i programeve të pagesës së papunësisë është mbështetja financiare për të gjithë punëkërkuesit në rast papunësie, për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes etj. Kusht është regjistrimi pranë zyrave të punës. Pas depozitimit të kërkesës, bëhet edhe plotësimi i dokumentacionit të nevojshëm brenda një afati 60-ditor.


Më të lexuarat