Secondary Adv

Ikja e mjekeve, qeveria plan per frenimin, preken studentet

Për të frenuar eksodin e mjekëve drejt Gjermanisë, qeveria mund të bëje shumë shpejt gati një paketë masash për të stimuluar mjekët e rinj të qëndrojnë në Shqipëri.

 

Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar.

 

Në një komunikim me gazetaren e Report Tv, Enxhi Musaj, rektori i universitetit të mjekësisë Arben Gjata, një nga pjesëtarët e grupit të punës, thotë se gjithçka është në proces diskutimi dhe ende nuk ka një nismë konkrete.

 

Ai thotë se asnjë mjek nuk do të mbahet kundër vullnetit, por dhe shteti nuk do të shpenzojë më për ata që duan të largohen. Gjata tha se kostoja reale për një student të universitetit të Mjekësisë mund të shkojë rreth 3000 euro.

 

Një nismë e tillë që ende nuk është bërë konkrete, u paralajmërua nga kryeministri Rama në Kongresin e parë të Shëndetësisë të mbajtur nga Ministria e Shëndetësisë në fillim të këtij muaji.

 

Rama theksonte se një student i mjekësisë paguan 1/16-ën e kostos reale, pjesën e tjetër sipas tij e paguan shteti. Kreu qeverisë tha se taksapaguesit shqiptarë nuk duhet të paguajnë për studentë që sa marrin diplomën largohen për punësim në Gjermani.

 

Ai tha se kjo problematikë duhet të adresohet. “Sot 1 student i mjekësisë paguan 1 të 16 e kostos reale. Shteti dhe taksapaguesit nuk e bëjnë këtë që ditën që mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata të cilët financohen nga ky buxhet, të ikin dhe të shërbejnë në Gjermani.

 

Shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është një problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ne ka ardhur koha ta adresojmë”, tha Rama.

 

Ndërsa në një takim që zhvilloi me mjekë dhe infermierë në QSUT para një jave Rama tha se po shikohet mundësia që qeveria të mbulojë studimet e atyre të cilët pranojnë të nënshkruajnë një kontratë me shtetin shqiptar për të punuar në spital publik dhe jo të atyre që thjesht arsimohen në Shqipëri për të ikur më pas në Gjermani.

 

Rama tha se studentët që nuk pranojnë do të paguajnë tarifë të plotë studimi, dhe jo aq sa paguajnë sot. “Ne paguajmë si qeveri suportin e kostos së studentëve të mjekësisë në një masë të atillë që tarifa është 1 e 16 e kostos.

 

Që të punojmë ne për të ushqyer sistemin shëndetësor gjerman, kjo nuk shkon. Prandaj do bëjmë një ndryshim, atyre që do hyjnë në mjekësi dhe nuk do duan të firmosin kontratën me popullin shqiptar për një periudhë kohe X, atëherë do paguajnë aq sa bëjnë tarifa.

 

Të tjerët që thonë unë jam i gatshëm të punoj për popullin tim për një periudhë 3-4 vjeçare të marrin mësimin lirisht. Të tjerët do duhet të paguajnë”-tha kreu i ekzekutivit të mërkurën e kaluar.

 

Për mbajtjen e bluzave të bardha në Shqipëri Qeveria deri tani ka marrë nismën konkrete për financimin e ekselentë në Shqipëri dhe ndalimin e financimit të studentëve ekselentë për të studiuar jashtë vendit.

 

Qeveria u paguan pagë minimale ekselentëve çdo muaj gjatë gjithë studimeve dhe në këmbim të kësaj studentët firmosin për të punuar në Shqipëri dhe pas tre vitesh do t’u jepet diploma dhe mund të largohen jashtë nëse do kenë dëshirë./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat