INSTAT: Papunesia arrin ne 17.7 per qind, me te prekurit te rinjte me diplome
Papunësia gjatë tremujorit të katërt 2015 në Shqipëri arriti në 17.7 %. Sipas Anketës së Forcave të Punës realizuar nga INSTAT, numri i personave të moshës 15-64 vjeç që kërkojnë punë në mënyrë aktive është 230.747 persona. Krahasuar me tremujorin e pararendës, shkalla e papunësisë ka pësuar një rritje prej 0,2 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 22,5% ose 4,8 pikë përqindje më e lartë se niveli mesatar kombëtar. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 20,8%. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9-vjeçar shkalla e papunësisë është 14,6%. Gjatë tremujorit të katërt 2015, për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,2%. Krahasuar në bazë vjetore, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka rënë me 1,7 pikë përqindje. Sipas Anketës së Forcave të Punës, numri i të punësuarve të moshës 15-64 vjeç është 1.071.053 persona. Numri i personave të papunë të moshës 15-64 vjeç është 230.747 persona.
Punësimi Në tremujorin e katërt të vitit 2015, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 65,3%. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë 15-29 vjeç është 45,9%. Shkalla e punësimit të të rinjve është 31,1%. Gjatë tremujorit të katërt 2015, 38,7% e të punësuarve të moshës 15-64 vjeç janë të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 23,9% punojnë në sektorin e shërbimeve të tregut (tregtia me shumicë dhe pakicë; riparimi i automobilave; hotelet dhe restorantet; transportet, magazinimi dhe komunikacioni; ndërmjetësimi monetar dhe financiar; pasuritë e patundshme). Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut (administrimi publik dhe i mbrojtjes; sigurimi shoqëror i detyruar; arsimi; shëndetësia dhe veprimtari të tjera sociale; aktivitete të tjera të shërbimit kolektiv; social dhe individual; shërbime në shtëpi; aktivitete të organizmave ndërkombëtarë) përbën 17,1% të punësimit total të grupmoshës 15-64 vjeç. Të punësuarit në industrinë përpunuese përbëjnë 10,3% të të punësuarve 15-64 vjeç. Krahasuar me tremujorin pararendës, punësimi u rrit me 1,5%. Ritmi i rritjes së punësimit sipas sektorëve nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2015 është: 6,1% në sektorin e industrisë dhe 0,5% në sektorin e shërbimeve. Ndërsa në sektorin e bujqësisë, punësimi mbetet në të njëjtin nivel. Në terma vjetorë, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 3,6%.