Turqia partneri i dyte tregtar i Shqiperise, 895 mln leke eksporte ne 2023
Turqia vijon të mbetet partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.
Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-shkurt sipas të cilit Turqia renditet partneri i dytë tregtar, duke zënë 7.4 % të vëllimit. Shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 2 muajt e këtij viti, duke arritur në 15.3 miliardë lekë.
Referuar të dhënave për periudhën janar-shkurt eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 895 milionë lekë, nga rreth 635 milionë lekë që ishin 2-mujorin e 2022-shit, ndërsa importet për periudhën 1-mujore llogariten 14.4 miliardë lekë.
Nga Turqia, në periudhën janar-shkurt janë importuar 3.6 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale si dhe 2.1 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet 1.9 miliardë lekë.
Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason. Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.
Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore ose me kuota tarifore.
Eksportet e produkteve industriale me origjinë shqiptare janë të liberalizuara. Ndërkohë, për produktet bujqësore palët i kanë akorduar reciprokisht njëra-tjetrës tarifa preferenciale dhe kuota tarifore./Burimi: ATSH/Oranews.al