Polonia dhe Hungaria ndalojne importet e grurit nga Ukraina
Polonia dhe Hungaria janë pajtuar të ndalojnë përkohësisht importet e drithërave dhe dhjetëra produkteve të tjera ushqimore nga Ukraina.
Problemet logjistike në Evropën Qendrore kanë shkaktuar grumbullimin të drithërave në hambarët e këtyre vendeve dhe rënien e çmimeve, të cilat kanë shkaktuar protesta nga fermerët dhe madje edhe dorëheqjen e ministrit polak të Bujqësisë.
Udhëheqësi i Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) në Poloni, Jarosław Kaczyński tha se fshati polak po përballet me një “moment krize” dhe se ndërsa vendi i tij mbështet Ukrainën, ajo u detyrua të veprojë për të mbrojtur fermerët e saj.
Ministria e Politikës Agrare e Kyevit e ka dënuar vendimin si “drastik dhe të njëanshëm”, duke argumentuar se fermerët ukrainas “po përballeshin me situatën më të vështirë” duke pasur parasysh pushtimin e Rusisë.
Një zëdhënës i qeverisë polake tha se është gati të nisë bisedimet me Ukrainën për të zgjidhur çështjen e grurit.
Qeveria e Hungarisë, ndërkohë, tha se pret ndryshime në rregulloret evropiane, duke përfshirë një rishikim të vendimit të vitit të kaluar për të hequr të gjitha tarifat e importit për produktet bujqësore të Ukrainës.
Hungaria nuk dha detaje se kur do të hynte në fuqi ndalimi i saj për importet e grurit dhe produkteve të tjera. Si Varshava ashtu edhe Budapesti thanë se ndalimet e tyre do të mbeten në fuqi deri më 30 qershor.
Po ashtu, fermerët rumunë dhe bullgarë janë shprehur të zemëruar me importet bujqësore ukrainase. /Burimi: Telegrafi