Secondary Adv

Qytetaret e Kosoves shpenzuan mbi 72 mln euro per viza nga 2016-2021

Sipas një hulumtimi të bërë Grupit për Ballkanin, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen.

 

Kjo del se për pesë vjet, në periudhën 2016-2021, janë shpenzuar mbi 72 milionë euro. Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan që u duhen viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian.

 

Mirëpo, Parlamenti Evropian pritet të votojë sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – me çka edhe procedurat për këtë çështje i afrohen fundit.

 

Eurodeputeti dhe bashkëkryetari i Partisë së Gjelbër Evropiane, Thomas Waitz ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme dhe gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi që Parlamenti Evropian smë në fund do të japë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

 

“Sot është një ditë gëzimi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas disa vitesh bllokadë në Këshillë, Parlamenti Evropian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për më të rinjtë e Evropës.

 

Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar. Të Gjelbërit kanë vite që e mbrojnë atë dhe do të vazhdojnë të mbështesin rrugën e Kosovës drejt BE-së”.

 

Ndërsa nesër, më 19 prill, pritet do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

 

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar. Tashmë është e qartë se zbatimi i vendimit nuk do të shtyhet më larg se 1 janari i vitit 2024.

 

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë adoptuar tekstin e miratuar nё mes tё Komisionit Evropian dhe Këshillit tё BE-sё nё lidhje me liberalizimin e vizave pёr Kosovën më 20 Dhjetor 2022.

 

Mbi 659 mijë aplikime për vizë Schengen janë parashtruar nga qytetarët e Kosovës që kur ka nisur dialogu me Komisionin Evropian për liberalizim vizash më 2012 e deri në fund të vitit 2021, sipas të dhënave të KE-së.

 

Por, deri tani qytetarët e Kosovës janë ballafaquar më shumë pritje e sfida për një vizë. Sipas të dhënave të Grupit për Ballkanin (BRPG), 60% qytetarët e Kosovës kanë kërkuar vizë Schengen, që mundëson lëvizjen e lirshme në vendet e BE, për vizita turistike.

 

Interesimi i kosovarëve për të vizituar vendet e BE-së kishte qenë në rritje deri në vitin 2020, kur trendi ndryshoi shkaku i COVID-19. Më së shumti kërkesa ka pasur në vitin 2019, me 108 mijë e 774. Në vitin 2020, pati 24 mijë e 566 kërkesa.

 

Sipas të dhënave të Grupit për Ballkan, kosovarët shpenzojnë mesatarisht 165 euro për aplikim për vizë Schengen. Kjo del se për pesë vjet, në periudhën 2016-2021, janë shpenzuar mbi 72 milionë euro.

 

Po i njëjti hulumtim i BRPG-së thekson se qytetarët kanë pritur mesatarisht nga një deri në gjashtë muaj deri në përfundimin e procedurës për vizë në zonën Schengen.

 

Përveç kësaj pritjeje, kosovarët janë ankuar edhe për pritje të gjata në rend për dorëzimin e dokumenteve. Por, me gjithë pritjet e gjata dhe paratë e shpenzuara gjatë aplikimit, një numër i aplikuesve është përballur me përgjigje negative.

 

Ndër vite janë refuzuar me 11 dhe 21 për qind të aplikimeve. Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

 

Edhe Parlamenti Evropian e kishte mbështetur këtë vendim, mirëpo vendet si Franca dhe Holanda nuk ishin të pajtimit. Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/qytetaret-e-kosoves-shpenzuan-mbi-72-mln-euro-per-viza-sot-merret-vendimi-per-liberalizimin/


Më të lexuarat