Secondary Adv

Hyn ne fuqi Kodi i ri Rrugor, nis zbatimi i rregullave te reja

Në zyrat e shërbimit postar tashmë prej ditës së sotme ka nisur zbatimi i rregullave të reja për përgjysmimin e masës së gjobave nëse paguhen brenda afatit 15 ditor.

 

Më herët drejtuesit e mjeteve që paguanin një masë administrative brenda 5 ditësh, përfitonin 20% ulje. Tashmë me rregullat e reja me ndryshimet e miratuara në Kodin Rrugor, nëse paguhet brenda 15 ditëve, vlera e gjobës do të paguhet me 50% ulje.

 

“Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 50% të vlerës”, përcaktohet në Kodin Rrugor të ndryshuar.

 

Rregullat e reja që nga përgjysmimi i masës së gjobës për makinat nëse paguhet brenda afatit deri te zgjatja e kohës së vlefshmërisë së patentave nga 10 vjeçare në 15 vjeçare,

 

rritja e shpejtësisë maksimale për të qarkulluar në autostradë deri te ashpërsimi i gjobave nëse nuk zbatohet rregullat për fëmijët hynë në fuqi pas miratimit të ndryshimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

 

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, u miratua në Kuvend në seancën e 16 marsit.

 

Ligji i ndryshuar u botua në Fletoren Zyrtare me 6 prill 2023 dhe sipas nenit 21 të tij, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në FZ, që do të thotë të gjitha rregullat e reja kanë hyrë në fuqi më datë 21 Prill 2023.

 

Gjithashtu edhe Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor konfirmon se të gjitha nenet e Kodit Rrugor që kanë të bëjnë me tagrin e DPSHTRR-së kanë nisur të zbatohen që ditën e parë të hyrjes në fuqi të ndryshimeve. Për lejet e drejtimit afati i vlefshmërisë së tyre zgjatet me 5 vite.

 

Konkretisht lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, sipas grup-moshave, ishin të vlefshme për 10 vjet, nëse janë lëshuar për persona deri në moshën 50 vjeç; 5 vjet, për ata që e kanë kaluar moshën 50-vjeçare dhe 3 vjet, për ata që i kanë kaluar të 70-at.

 

Me rregullat e reja lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç.

 

Për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të parashikuara në pikën 2 të nenit 117 të këtij Kodi, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.

 

Ndryshimet në Kodin Rrugor rrisin shpejtësinë maksimale të lejuar për të udhëtuar në autostradë nga 110 km/orë që ishte më përpara në 130 km/orë.

 

Ndryshimet e Kodit Rrugor

Neni 114 pika 2

“2. Cilido që drejton mjete me motor, nuk duhet të ketë kaluar moshën shtatëdhjetë vjeç për të drejtuar autobusë, kamionë, kamionë me rimorkio, gjysmërimorkiatorë, artikularë të tjerë, të caktuar për transport personash dhe mjete me motor për transport malli.”

 

Neni 117/1 Kufizime për drejtuesit e motomjeteve

Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje: “1/1. Mbajtësve të lejeve të drejtimit të kategorisë B, në dy vjetët e para të lëshimit, nuk u lejohet të drejtojnë mjete motorike me fuqi specifike, referuar masës bosh të mjetit, më të madhe se 55 kë/tonë. Për makinat hibride elektrike ose plug-in, kufiri specifik i fuqisë është 65 kë/tonë, duke përfshirë peshën e baterisë. Kjo pikë zbatohet vetëm për lejet e drejtimit që lëshohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

 

Neni 120 pika 2

Ushtrimet e drejtimit të mjetit

Autorizimi i lejon kursantit të ushtrohet me mjete të asaj kategorie, për të cilën është kërkuar lejedrejtimi ose shtrirja e vlefshmërisë së tij, me kusht që në krah të ndodhet, në funksionin e instruktorit të miratuar, një person me moshë jo më të madhe se 70 vjeç dhe jo më i vogël se 30 vjeç,

 

i pajisur me lejedrejtimi të vlefshëm për të njëjtën kategori mjeti, që e ka marrë qysh prej të paktën 10 vjetësh, ose me lejëdrejtimi të vlefshëm për një kategori më të lartë mjeti; instruktori duhet të jetë shumë i kujdesshëm gjatë lëvizjes së mjetit dhe të ndërhyjë në momentin e duhur dhe me efektshmëri.

 

Neni 124 Afati dhe konfirmimi i vlefshmërisë së lejedrejtimit të mjetit

Pikat 1, 2, 4 dhe 5 ndryshohen si më poshtë:

 

“1. Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE sipas grupmoshave janë të vlefshme për: – 15 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç;

 

– për personat mbi 70 vjeç konfirmimi i vlefshmërisë së lejes së drejtimit bëhet duke dorëzuar certifikatë mjekësore të lëshuar nga një prej organeve mjekësore të parashikuara në pikën 2 të nenit 117 të këtij Kodi, nga e cila të rezultojë që zotëruesi i kësaj certifikate plotëson të gjitha kërkesat fizike e psikike të kërkuara.

 

Lejedrejtimet e mjeteve të kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE sipas grupmoshave janë të vlefshme për: – 5 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70 vjeç;

 

Sipas parashikimit të pikës 2 të nenit 114 të këtij Kodi për personat mbi 65 vjeç, lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave me ngarkesë të plotë nuk është më shumë se 20 tonë.

 

Sipas parashikimit të pikës 2 të nenit 114 të këtij Kodi për personat mbi 65 vjeç, lejedrejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve për të cilat kërkohet pajisja me lejedrejtimi përkatësisht të kategorisë B ose BE.

 

Lejedrejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për personat me aftësi të kufizuara, të kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, janë të vlefshme për: – 5 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 65 vjeç; – 3 vjet për persona mbi 65 vjeç.

 

Lejedrejtimet e posaçme të mjeteve, lëshuar për personat me aftësi të kufizuara, të kategorive C1, C1E, C dhe CE janë të vlefshme për: – 5 vjet nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 65 vjeç: Këto leje nuk rinovohen pas moshës 65 vjeç.”

 

b) Pikat 3 dhe 6 shfuqizohen.

Neni 132

Qarkullimi i automjeteve dhe motomjeteve që u përkasin qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit ose të huajve.

 

Për automjetet, motomjetet dhe rimorkiot e importuara përkohësisht ose të reja nga fabrika të blera për eksportim, që kanë përmbushur formalitetet doganore, kur duhet, dhe që i përkasin qytetarëve shqiptarë me banim jashtë shtetit ose të huajve që kalojnë nëpër Shqipëri,

 

lëshohet një leje qarkullimi me një kohëzgjatje maksimale 30-ditore, duke përjashtuar ndonjë shtyrje të mundshme afati, si dhe një targë e veçantë njohjeje, siç përcaktohet në aktet në zbatim.

 

Neni 140, pika 1 Kufizimet e shpejtësisë

1.Për të siguruar qarkullimin dhe mbrojtur jetën e njerëzve, shpejtësia maksimale nuk mund të kalojë 130 km/orë për autostradat,

 

90 km/orë për rrugët interurbane kryesore, 80 km/orë për rrugët interurbane dytësore e rrugët lokale interurbane dhe 40 km/orë për rrugët në qendrat e banuara.

 

Neni 169, pika 5

Drejtuesi i motomjeteve është i detyruar të bëhet i dallueshëm në rrugët interurbane nga gjysmë ore pas perëndimit të diellit deri gjysmë ore përpara lindjes së tij, si dhe ditën në raste mjegulle, kur ka borë, ka shira të fortë.

 

Për ta bërë këtë, drejtuesi i motomjetit është i detyruar të përdorë jelek fluoreshent/fosforeshent të homologuar apo veshje teknike me elemente fosforeshente.

 

Kushdo që nuk zbaton këtë detyrim, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 1000 (një mijë) deri në 3 (tre mijë) lekë.

 

Neni 170, pikat 1,4,6 dhe 8 Përdorimi i rripave të sigurimit dhe sistemeve të fiksimit

Bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

 

a) Pika 1 ndryshohet si më poshtë: “1. Drejtuesi i mjetit dhe pasagjerët e mjeteve të kategorisë L6, të pajisura me kabinë të mbyllur dhe të automjeteve të kategorive M1, M2, M3 dhe N1, N2, N3 sipas klasifikimit të nenit 47, pika 2, të këtij Kodi,

 

të pajisura me rripa sigurie, janë të detyruar t’i vendosin ato në çdo lloj lëvizjeje me mjet. Bëjnë përjashtim mjetet e kategorive M2 dhe M3, të cilat përdoren për transport urban ose ato mjete ku lejohet qëndrimi në këmbë.”

 

b) Pika 4 ndryshohet si më poshtë: “4. Fëmijët deri në moshën 3 vjeç duhet të udhëtojnë të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese të homologuara, të përshtatshme për peshën e tyre, në vendet e pasme të mjetit.

 

Ata mund të udhëtojnë në vendet e përparme të mjeteve të kategorive M1, N1, N2 dhe N3 të klasifikuara në nenin 47, pika 2, të këtij Kodi, të siguruar me sisteme të përshtatshme fiksuese, me fytyre prapa, vetëm kur jastëkët e ajrit janë të çaktivizuar.

 

Sistemet fiksuese të fëmijëve duhet të instalohen në mjet në përputhje me udhëzimet e dhëna nga prodhuesi.”.

 

c) Pas pikës 4 shtohen pika 4/1 dhe 4/2 me këtë përmbajtje: “4/1. Në mjetet e kategorive M1, N1, N2 dhe N3 pa sisteme të përshtatshme fiksuese fëmijët me moshë deri në tre vjeç nuk mund të udhëtojnë. 4/2. Fëmijët me moshë mbi tre vjeç nuk lejohet të qëndrojnë në vendet e përparme kur gjatësia e tyre nuk kalon 1,50 m.”

 

ç) Në pikat 5 dhe 6 fjalët “në moshën 4 vjeç” zëvendësohen me fjalët “në moshën 3 vjeç”.

 

d) Në pikën 8 paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë: “Cilido që nuk përdor rripat e sigurisë dhe sistemet e fiksimit për fëmijë, ndëshkohet me masë administrative me gjobë nga 5,000 (pesë mijë) deri në 15.000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë.

 

Kur shkelja i takon një fëmije në moshë jomadhore, përgjegjësia bie mbi drejtuesin e mjetit ose, kur ndodhet në çastin e kryerjes së shkeljes, mbi atë që është ngarkuar me mbikëqyrjen e këtij fëmije.

 

Në rast se është drejtuesi i mjetit, përveç masës administrative të ndëshkimit me gjobë, merret edhe masa administrative plotësuese e pezullimit të lejedrejtimit për një periudhë nga 6 deri në 12 muaj.”.

 

Neni 203 pikat 1 dhe 2

Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi paguhen nga kundërvajtësi brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formën e prerë me përjashtim të rasteve kur ky Kod parashikon gjobë në vend.

 

Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj.

 

Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

 

Në të gjitha rastet e parashikuara me gjobë, nëse arkëtimi i vlerës së gjobës nga kundërvajtësi bëhet brenda 15 ditëve nga dita që gjoba regjistrohet ose vendimi ka marrë formë të prerë, gjoba ulet me 50 për qind të vlerës.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/sherbimi-postar-dhe-transportet-nisin-zbatimin-e-rregullave-te-reja-te-kodit-rrugor-nga-50-ulje-te-gjobave-deri-te-zgjatja-e-vlefshmerise-se-patentave/


Më të lexuarat