Banka e Shqiperise: Rritja e takses se qarkullimit ne 2015, evazioni 30 milion euro
Banka e Shqipërisë, teksa ka raportuar në Kuvend për zhvillimet fiskale te 2015-es ka treguar se nga taksimi me 10 lekë më shumë i gazoilëve janë arkëtuar ne buxhet 1.9 miliardë lekë më shumë.
Por me llogaritë e naftës së konsumuar në vend këto të ardhura duhet të ishin të paktën tre herë më të larta, rreth vlerë 5.8 miliardë lekë.Një shifër të ngjashme parashikonte të arkëtonte edhe qeveria. Ish/ministri i Financave Shkëlqim Cani me 7 nëntor të vitit 2014 vitit duke raportuar në Komisionin parlamentar të Ekonomisë për paketën fiskale të vitit 2015 u shpreh: “Taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që rritet me 10 lek/ litri për naftën dhe benzinën. Efektet në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohen të jenë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja për vitin 2015”.
Nga nafta e vendit dhe importit janë konsumuar më 2015 më shumë se 583 mijë tonë ose 583 milionë litra.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, zhdoganimet e karburanteve në vitin 2015 arritën në 463 mijë tonë ose 463 milionë litra. Po sipas të dhënave të Ministrisë së Financave është vjelur akcizë për mesatarisht 10 mijë tonë naftë vendi. Konsumi i naftës së vendit përgjatë 2015 llogaritet në rreth 120 mijë tonë.
Duke qenë se, barra e re fiskale me 2015 u rrit me 10 lekë për lirë, llogaritë tregojnë se arkëtimet duhet të ishin se paku 5.8 miliardë lekë, por sipas analizës të dhënave të Bankës së Shqipërisë të ardhurat nga kjo rritje nuk kanë qenë më shumë se 1.9 miliardë lekë. Evazioni llogaritet të jetë 3.9 miliardë lekë ose 30 milionë euro.
Tabela, si llogaritet humbja
-Ministria e Financave priste të arkëtonte me 2015 nga rritja me 10 lekë e akcizës së karburanteve, 5.6 miliardë lekë dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja për vitin.
-Sipas Bankës së Shqipërisë, nga taksimi me 10 lekë më shumë i gazoilëve me 2015 janë arkëtuar ne buxhet 1.9 miliardë lekë më shumë
-Konsumi i karburantit për 2015 zyrtarisht është 583 milionë litra: a) Importet 463 mijë tonë (463 milionë litra) b) Nafta e vendit 120 mije tonë ( 120 milionë litra)
-Akciza për litër 10 lekë plus në 583 milionë litra sjell një të ardhur shtesë 5.8 miliardë lekë vetëm nga akciza pa llogaritur TVSH-ne.