Secondary Adv

Greqia zgjat me tre muaj programin e Vizave te arta

Programi Vizat e arta në Greqi është zgjatur me 3 muaj, duke i lejuar individët, që nuk janë shtetas të BE, të marrin rezidencën duke blerë një pronë për 250,000 Euro.

 

Pas kësaj periudhe, kostoja minimale e nevojshme për të marrë pjesë në programin e lakmuar do të rritet në 500,000 €. Vitet e fundit, një numër i madh njerëzish nga jashtë Bashkimit Europian, kanë kërkuar një vizë të artë në Greqi.

 

Megjithatë, ka pasur shqetësime se numri i madh i investitorëve të huaj, që blejnë prona në vend, e ka bërë më të vështirë për grekët gjetjen e shtëpive me çmime të përballueshme.

 

Zgjatja e programit të vizave të arta në Greqi

Programi Golden Visa, i njohur edhe si Programi i Rezidencës me Investim, u mundëson ndërkombëtarëve të marrin rezidencën në vendet Europiane, që drejtojnë programe të tilla, me kusht që të investojnë në këto vende dhe të plotësojnë kushte specifike.

 

Programi është veçanërisht i popullarizuar në Greqi, gjë që e shtyu qeverinë të njoftonte se do të rriste çmimin minimal të kërkuar për të marrë pjesë, në dhjetor të vitit të kaluar.

 

Individëve, që nuk janë shtetas të Bashkimit Europian, do t’u jepen edhe tre muaj shtesë për të finalizuar marrëveshjet për blerjen e pronave me kufirin aktual të çmimit, 250,000 €.

 

Kjo do t’i lejojë ata të marrin leje qëndrimi, të njohur si “Viza e Artë”, si dhe të zgjedhin një pronë në vendndodhjen e tyre të preferuar, përpara se kërkesa minimale e çmimit të rritet në 500,000 €.

 

Sipas njoftimit të qeverisë, afati i ri për nënshkrimin e marrëveshjes paraprake ose kontratës përfundimtare të shitjes me çmimin aktual, është shtyrë nga afati i mëparshëm 30 prill 2023, deri më 31 korrik 2023.

 

Kjo do të thotë, se individët që janë të interesuar të blejnë një pronë në Greqi, mund të përfitojnë nga çmimi aktual për tre muaj të tjerë, përpara se kërkesa minimale e çmimit të dyfishohet.

 

Kërkesa e lartë

Sipas një sondazhi të vitit të kaluar të ofruar nga agjentët e pronave Tranio, Greqia është destinacioni më popullor në Europë për një vizë të artë.

 

Sondazhi zbuloi se kërkesa për programin e vizave të arta greke, është rritur me gjithsej 290%, pavarësisht rritjes së kërkesës minimale për investim nga 250,000 Euro në 500,000 Euro.

 

Portugalia, Letonia, Spanja dhe Mali i Zi renditen pas Greqisë. Në një studim tjetër të kryer një vit më parë, u vu re se kërkesa për viza të arta greke ishte veçanërisht e lartë nga investitorët kinezë.

 

Në fakt, sondazhi zbuloi se investitorët kinezë, përbënin 68% të të gjitha vizave të arta greke të lëshuara, që nga fillimi i programit.

 

Apartamente në qendër të Athinës, ndërtime cilësore përgjatë rivierës së Athinës dhe shtëpi luksoze në zonat turistike të njohura, janë zonat kryesore të zgjedhura nga investitorët e huaj.

 

Megjithëse investimet e huaja janë mirëpritur nga qeveria greke, ka gjithashtu shqetësime se grekët, që nuk mund të përballojnë çmimet e larta të pronave, po dëbohen nga lagjet e tyre.

 

Kjo ishte një nga arsyet e rritjes së çmimit minimal të kërkuar, për të hyrë në programin e Vizës së Artë./Burimi: Greek Reporter/Monitor https://www.monitor.al/greqia-zgjat-me-3-muaj-programin-vizat-e-arta/


Më të lexuarat