Secondary Adv

Prezantohet Njohligjin.al, portali i ri qe do te ndihmoje qytetaret nga pikepamja ligjore

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri prezantoi portalin NjohLigjin.al, i cili u vjen në ndihmë qytetarëve të orientohen përsa i përket ligjit, në fushat më me interes në jetën e tyre të përditshme.


Portali, i realizuar me fonde të qeverisë kanadeze, është pjesë e një pune më të gjerë për edukimin ligjor të publikut, që bëhet nga Prezenca e OSBE-së dhe që ka në bazë moton “Shteti i së drejtës fillon nga ti”. Në prezantimin e kësaj platforme, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së, Robert Wilton, u shpreh se një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës është që qytetarët duhet t’i njohin ligjet që qeverisin jetët e tyre.


Nëse nuk i njihni ligjet nuk mund t’i zbatoni ato, nuk mund të mbroni siç duhet të drejtat tuaja, nuk mund të përmbushni detyrimet tuaja./ “Mund të duket e mjaftueshme që teksti i ligjeve të jetëm publikisht i disponueshëm, në mënyrë që njerëzit të mund ta lexojnë atë. Sidoqoftë, ashtu siç e di shumëkush nga ju që është përpjekur të lexojë dhe të kuptojë ndonjë prej këtyre teksteve, kjo gjë nuk është dhe aq e lehtë. Kur qytetarët e thjeshtë lexojnë një ligj ata çorientohen më shumë sesa sqarohen.


Dhe thuajse në asnjë rast nuk zbatohet vetëm një ligj për një problem të caktuar, por përkundrazi bëhet fjalë për një tërësi tekstesh ligjore që duhen marrë parasysh. Synimi i faqes “Njoh ligjin” është që t’i japë qytetarit të thjeshtë një mjet të ri veprimi për t’u orientuar në këtë peisazh ligjor. Gjithashtu, kjo faqe duhet parë edhe si një burim për organizatat e shoqërisë civile dhe klinikat e ndihmës ligjore që ofrojnë këshillim ligjor falas për qytetarët, sidomos për ata që mund të mos kenë akses në internet”/, u shpreh Robert Wilton.


“Njoh ligjin” do të ndihmojë për ta sjellë ligjin më pranë qytetarëve në fusha kyçe të tilla si punësimi, familja, sigurimet shoqërore, procesi gjyqësor civil, pronat dhe funksionimi i sistemit gjyqësor. Duke ofruar informacion ligjor në mënyrë të thjeshtë, logjike, dhe në gjuhë të kuptueshme, kjo platformë do t’i fuqizojë qytetarët që ta përdorin ligjin në mënyrë më aktive dhe të suksesshme.


Më të lexuarat