Nafta humbet rreth 1 per qind te vleres ne tregjet nderkombetare
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të konsiderueshme edhe sot, për shkak të shqetësimeve se rritja e interesave nga bankat qendrore do ngadalësojë kërkesën.
Edhe ngadalësimi i sektorit të manifakturës në Kinë ka ushtruar presion mbi çmimet. Indeksi PMI në Kinë ra në 49.2 pikë në prill, nga 51.9 që ishte në mars. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 76 dollarë për fuçi.
Shpenzimet konsumatore në Shtetet e Bashkuara nuk ndryshuan gjatë marsit, pasi rritja në sektorin e shërbimeve u zbeh nga rënia në sektorin e mallrave.
Edhe ekonomia amerikane u ngadalësua ndjeshëm gjatë tremujorit të parë të vitit, duke u rrit me vetëm 1.1%, nga 2.6% që ishte rritja në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në sesionin e së premtes, çmimet e naftës u rritën me rreth 2%, pasi kompanitë e sektorit publikuan fitime mbi parashikimet e tregjeve për tremujorin e parë të vitit.
Referuar të dhënave në SHBA, prodhimi i naftës bruto ra në 12.5 milionë fuçi në ditë, gjatë shkurtit, niveli më i ulët që nga dhjetori. Në anën tjetër, kërkesa për naftë u rrit në rreth 20 milionë fuçi në ditë, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit të kaluar./Burimi: SCAN