Secondary Adv

Treguesi i besimit ne ekonomi u rrit ne prill, arrin nivelin me te larte historik

Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) u rrit përsëri në muajin prill, duke arritur nivelin më të lartë historik.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, TNE shënoi nivelin 114.6, me rritje prej 1.1 pikësh në krahasim me muajin mars dhe duke qëndruar 14.6 pikë mbi mesataren afatgjatë. Rritja e TNE u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë, si dhe nga përmirësimi i besimit konsumator.

 

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) u rrit me 3.8 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar nga vlerësimet më optimiste për prodhimin aktual dhe për kontratat porositëse.

 

Niveli i TBI-së aktualisht qëndron 16.1 pikë përqindje mbi mesataren historike. Pritjet e bizneseve të këtij sektori për prodhimin dhe për punësimin në të ardhmen janë rritur. Çmimet që këto biznese do të vendosin në të ardhmen nuk pritet të ndryshojnë.

 

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) u rrit lehtë me 0.4 pikë përqindje në muajin prill, duke shënuar një tjetër rekord historik. Ky tregues qëndron 28.7 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

 

Rritja këtë muaj u përcaktua kryesisht nga vlerësimet më të mira për nivelin e porosive aktuale. Pritjet për punësimin dhe ato për çmimet në të ardhmen janë në rënie.

 

Treguesi i besimit në tregti (TBT) u rrit me 1.2 pikë përqindje në muajin prill, i ndikuar kryesisht nga vlerësime optimiste mbi ecurinë aktuale të biznesit.

 

Edhe pritjet për punësimin u rritën këtë muaj, madje në një shkallë më të lartë se komponenti i parë. Niveli aktual i TBT-së qëndron rreth 12.4 pikë përqindje mbi mesataren historike.

 

Gjithashtu, pritjet për ecurinë e biznesit në të ardhmen dhe për punësimin kanë regjistruar rritje të lehtë këtë muaj. Pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan në rënie.

 

I vetmi tregues që shënoi rënie ishte ai i besimit në shërbime (TBSH), që ra me 1.6 pikë përqindje në muajin prill. Megjithatë, niveli i TBSH qëndron në intervalin e vlerave më të larta historike, rreth 17.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.

 

Të dy komponentët përbërës të treguesit, ecuria aktuale e aktivitetit, si dhe niveli i kërkesës, kanë regjistruar rënie të lehtë. Pritjet e bizneseve për kërkesën, punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë me rënie.

 

Treguesi i besimit konsumator (TBK) vijoi prirjen disamujore rritëse, duke u rritur me 2.1 pikë përqindje në muajin prill. Niveli i tij aktual ka kaluar me 2.2 pikë përqindje mesataren historike.

 

Përmirësimi i TBK këtë muaj u përcaktua nga pritje të përmirësuara për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen.

 

Pritjet për nivelin e përgjithshëm të çmimeve dhe punësimin në të ardhmen janë rishikuar për lart./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/treguesi-i-besimit-ne-ekonomi-u-rrit-perseri-ne-prill-arrin-nivelin-me-te-larte-historik/


Më të lexuarat