Nafta po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, ndërsa një ditë më parë humbi rreth 5% të vlerës, duke zbritur në nivelin më të ulët në 5 javët e fundit.
Investitorët shqetësohen se, rritja e interesave nga bankat qendrore do të dëmtojë akoma më shumë kërkesën për naftë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 75 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 71 dollarë për fuçi.
Në dyja kontratat e mbyllën sesionin e kaluar në nivelin më të ulët që nga 24 marsi i këtij viti, ndërsa realizuan humbjet më të mëdha ditore që nga fillimi i janarit.
Rezerva Federale në Shtetet e Bashkuara parashikohet të rrisë normat e interesit edhe me 25 pikë bazë, në takimin që përfundon ditën e sotme.
Në anën tjetër, Banka Qendrore Europiane do të mblidhet të enjten dhe parashikohet një rritje e normës bazë të interesit me 50 pikë bazë.
Shtrëngimi i politikave monetare nga bankat qendrore pritet të ngadalësojë ekonominë, dhe për rrjedhojë edhe kërkesën për energji. Edhe të dhënat e publikuara në Kinë treguan një ngadalësim të aktivitetit të manifakturës, gjatë prillit.
Investitorët po presin edhe të dhënat zyrtare mbi rezervat e naftës në SHBA, që publikohen gjatë ditës së sotme, nga Administrata për Informimin mbi Energjinë./Burimi: SCAN