Pronat, Strasburgu gjobit serish Shqiperine, 10 milion euro per pronaret
Zgjidhja e çështjes së pronave mes qeverisë shqiptare dhe ish pronarëve vijon të mbetet një ngërç edhe për shumë kohë, kjo duke iu referuar këtu edhe vendimeve të dhëna nga Gjykata e Strasburgut.
Kështu,pronarët e pronave në Shqipëri mesa duket vetëm në këtë gjykatë gjejnë të drejtat e tyre për tokat. Diçka e tillë ka ndodhur edhe dje ku Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka ndëshkuar shtetin shqiptar. Në një vendim të publikuar nga kjo Gjykatë, shteti shqiptar është i dënuar të paguaj 10 milionë e 700 mijë euro në çështjen e ngritur “Rista kundër Shqipërisë”. Në fakt, Gjykata ka shqyrtuar gjithsej 7 çështje që kanë të bëjnë me pronarë të ndryshëm nga Shqipëria. Në bazë të vendimit, qeveria shqiptare duhet të paguaj shumën brenda tre muajve, ndërsa parashikohen penalitete nëse nuk zbatohet vendimi.
Ky nuk është vendimi i parë i kësaj Gjykate kundër Shqipërisë për çështjen e ish-pronarëve. Në nëntor të vitit të shkuar, Gjykata e Strasburgut vendosi të penalizonte shtetin shqiptar me një shumë prej 5 milionë eurosh, por vendimi i tanishëm është shifra më e lartë kundër Shqipërisë, çka vë në vështirësi financat e vendit. Padia e parë është bërë më 29 shtator të vitit 2014 nga trashëgimtarët e Kurtesh Gjikolli, i ndjekur më pas edhe nga paditës së tjerë. Në vendim thuhet se qeveria shqiptare e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit nuk arriti të dorëzonte dhe të provonte me shkrim se pronat ishin kompensuar në mënyrë të drejtë. Gjykata e Strasburgut konstaton se autoritetet shqiptare kanë dështuar gjatë shumë vitesh për të zbatuar vendimet e gjykatave në vend për të kompensuar pronarët, duke shkelur të drejtat e tyre. Gjithsesi qeveria ka ndërmarrë së fundmi miratimin e ligjit për zgjidhjen e çështjeve me pronat dhe ish pronarët, ligj të cilin Partia Demokratike, por edhe vetë kreu i shtetit e kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.
Ligji më herët u kthye nga Nishani për rishqyrtim në Kuvend, por që mazhoranca duke mos ndryshuar asnjë nen e miratoi sërish me shumicën votash, çka solli edhe dërgimin në Kushtetuese nga ana e kreut të shtetit. Presidenti këmbëngul ashtu si në arsyet e kthimit të ligjit, se ai është antikushtetues. Sipas Bujar Nishanit, ligji dënon parimet bazë të sigurisë juridike dhe barazisë para ligjit. Presidenti i shton këtyre argumenteve se ligji i pronave zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut.