Secondary Adv

Reforma e pensioneve ne France do kurseje 17 mld euro deri ne 2030

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire, tha se reforma e diskutueshme e pensioneve do të sigurojë një kursim prej 17 miliard eurosh deri në vitin 2030.

 

Duke folur për France Info, transmetuesin publik të Francës, Le Maire u shpreh se nga reforma që rrit moshën e pensionit nga 62 në 64-vjeç do të kursehen 17 miliardë euro deri në vitin 2030.

 

Në anën tjetër, Këshilli Kushtetues do të njoftojë sot vendimin e tij lidhur me propozimin për të shkuar në referendum për të ndalur rritjen e moshës së pensionit mbi 62-vjeç.

 

Nëse Këshilli pranon këtë propozim, për të shkuar në referendum do të jetë e nevojshme mbledhja e firmave të 4,87 milionë votuesve, ndërsa kjo përkon me 10 për qind të votuesve.

 

Referendumin në fjalë e propozuan parlamentarët e majtë të cilët janë kundër reformës së pensioneve.

 

Reforma e pensioneve

Protestat masive filluan më 16 mars pasi qeveria e Francës mori vendim për të miratuar pa votim në Parlament projektligjin i cili përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64-vjeç.

 

Në shumë pjesë të vendit u shënuan ngjarje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë e cila kryen ndërhyrje të ashpër ndaj protestuesve. Në protestat e mbajtura në të gjithë vendin që nga 16 marsi e deri më tani janë arrestuar mbi 1.000 persona.

 

Këshilli Kushtetues të cilit opozita dhe qeveria iu drejtuan për të përcaktuar nëse reforma është apo jo në përputhje me kushtetutën, miratoi projektligjin që rrit moshën e pensionit në 64-vjeç dhe rrëzoi tërësisht ose pjesërisht 6 pikat.

 

Projektligji në fjalë u botua në “Gazetën Zyrtare” pasi u nënshkrua nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat