Aksioni i tatimeve, gjoba te padrejta ne 54 per qind te rasteve
Avokati i Tatimpaguesve vlerëson të drejta 54 për qind të ankesave të biznesit për gjoba të padrejta nga tatimorët për kuponin tatimor, kasat fiskale dhe mosdeklarimin e punonjësve. Të dhënat bëhen publike në raportin për 2015-n të Avokatit të Tatimpaguesve.
Pjesa më e madhe e ankesave kundër inspektorëve të Tatimeve janë bërë nga biznesi i vogël, që zënë 52 për qind të tyre. Edhe për të vetëpunësuarit në profesione të lira, Avokati i Tatimpaguesve ka mbështetur kundërshtimet e tyre për kasat fiskale.Gjatë aksionit të informalitetit, nga Tatimet janë nxjerrë 7 urdhra për zbatim, procedura që janë kthyer për rishikim, kurse drejtoritë rajonale kanë nxjerrë 107 urdhra që duhej të rishikoheshin.
Ankesat për kuponin Avokati i tatimpaguesve ka konstatuar shkelje nga inspektorët tatimorë që kanë gjobitur biznesin për moslëshim kuponi dhe mosdeklarim të punonjësve. “Nisur nga një pjesë e ankesave të tatimpaguesve, konstatimi dhe më pas vendosja e dënimeve administrative, nga grupet e inspektorëve të verifikimit në terren, duhej bërë në mënyrë të argumentuar, mbështetur në prova dhe fakte, bazuar në ligj, por edhe me profesionalizëm”, thuhet në raport.
Për këtë, Avokati i biznesit sjell në vëmendje raste kur biznesi është gjobitur për kuponin tatimor, pa përshkruar specifikimet për llojin e mallit që është shitur pa kupon apo çmimin e tij. Sipas Avokatit, tatimorët shkruajnë në fletën e gjobës vetëm “nuk lëshon kupon tatimor”, pa specifikimet e domosdoshme. Avokati i Tatimpaguesve informon se tatimorët kanë gjobitur padrejtësisht biznesin edhe për mosdeklarim të punonjësve. “Raste të tilla, janë ato të konstatimit të personave të paregjistruar si punëmarrës te tatimpaguesi, persona të afërm të tij, por që efektivisht në momentin e kryerjes së verifikimit janë ndodhur edhe rastësisht, në ambientin e biznesit. Shkelje të kësaj natyre, duhen konstatuar e të mbështeten në prova e fakte konkrete, bazuar edhe në kërkesat e ligjit ‘Për kundërvajtjet administrative’”, shpjegohet në raport.
Biznesi i vogël për kasat Avokati i Tatimpaguesve konstaton se aksioni i informalitetit shtoi në numër regjistrimet e biznesit të vogël, por çorientoi ata për taksat që duhet të paguanin apo kur duhej përdorur kasa fiskale.“Nga muaji gusht i vitit raportues, pas ndërmarrjes së nismave kundër informalitetit në vend, është konstatuar një fluks i madh personash që regjistrohen në sportelet e QKR-së, duke u shndërruar nga individë në status, në tatimpagues. Konstatojmë që, një pjesë e tyre, nuk janë në dijeni se ç’do të bëjnë më tej me detyrimet e tyre dhe mbajtjen e dokumentacionit”.Avokati u ka dhënë të drejtë edhe kundërshtimeve të shitësve ambulantë për vendosjen e kasave fiskale dhe profesioneve të lira. Për vitin 2015, Avokati i Tatimpaguesve shqyrtoi 265 ankesa të biznesit, ku për 139 është hapur hetim.