
Rritja e normave nga ECB, shtrenjtohen kredite ne euro per huamarresit shqiptare
Këshilli Drejtues i Bankës Qendrore Europiane (ECB) rriti përsëri këtë javë normat bazë të interesit për euron me 0.25 pikë përqindje.
Norma e interesit të instrumentit kryesor financues, MRO, prej datës 10 maj do të arrijë në 3.75%, niveli më i lartë në 15 vitet e fundit.
ECB konkludoi se presionet inflacioniste ngelen të larta dhe u angazhua t’i çojë normat e interesit në një nivel të tillë shtrëngues që të mundësojnë uljen e inflacionit pranë objektivit prej 2%.
Rritja e mëtejshme e normave të interesit në Eurozonë do të prekë edhe sektorin financiar dhe ekonominë shqiptare.
Monedha e përbashkët europiane në vitet e fundit ka fituar një peshë në rritje në bilancet e sektorit bankar dhe ka marrë një pozicion kryesues, sin ë krahun e aktiveve, ashtu edhe në atë të detyrimeve.
Përcjellja më e shpejtë dhe më e drejtpërdrejtë e politikës monetare të ECB-së ndodh në segmentin e kredive ekzistuese më interes të ndryshueshëm, që përdorin si tregues benchmark Euriborin, kryesisht atë 12-mujor.
Në muajin e fundit, Euribori 12-mujor i është kthyer rritjes dhe në fillim të kësaj jave ndodhej në nivelin 3.85%. Rritja reflektoi kryesisht pritshmëritë e tregjeve për një shtrëngim të mëtejshëm në ECB-së në mbledhjen e këtij muaji, siç edhe në fakt ndodhi.
Në harkun e 12 muajve të fundit, euribori 12-mujor është rritur me rreth 3.6 pikë përqindje. Kjo rritje reflektohet e gjitha edhe në normën e interesit të kredive me norma të ndryshueshme interesi në euro.
Nëse një vit më parë interesi tipik i një kredie për shtëpi në euro ishte pranë nivelit të 4%, tashmë ky interes ka arritur në mbi 7.6%. Për një kredi me vlerë 70 mijë euro dhe me afat maturimi 20 vjeçar, para një viti vlera e këstit mujor llogaritje në afërsisht 424 euro.
Me normat aktuale të Euriborit sot vlera e këstit llogaritet në rreth 568 euro ose rreth 34% më shumë. Në rast se shtrëngimi monetar nga ECB vazhdon në muajt e ardhshëm, atëherë normat referuese si Euribori do të rriten më tej dhe normat e interesit të kreidve në euro gjithashtu.
Në pjesën e parë të këtij viti, norma referuese për lekun, që përgjithësisht është yield-i i bonove 12-mujore të thesarit, ka pësuar rënie të ndjeshme. Aktualisht, ky tregues është 3.75%, nga 5.5% që ishte në fund të vitit të kaluar.
Me bazë vjetore, rritja e yield-it të bonove më pak se 1.5%. Kjo tregon se rritja e kësteve të kredisë për huamarrësit me norma të ndryshueshme në lekë këtë vit po zbutet ndjeshëm krahasuar me gjysmën e dytë të vitit 2022.
Ndërkohë, për euron rritja është shumë më e lartë dhe pritet të krijojë një barrë më të rëndë për huamarrësit shqiptarë.
Rritja e shpejtë e depozitave në euro dhe normat relativisht më të ulëta të interesit kanë rikthyer dominimin e kredisë në euro në dy vitet e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë në valutë të huaj përbënin rreth 52% të portofolit në fund të vitit të kaluar.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/rritja-e-normave-nga-ecb-ja-shtrenjtohen-me-shume-kredite-ne-euro-per-huamarresit-shqiptare/
Më të lexuarat








