Abuzime me barnat, 68 milion leke dem. Braho:Prishem kontratat me 20 farmaci
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka pësuar një dëm prej 68 milion lekësh gjatë vitit 2015, për shkak të një skeme korrupsioni të rimbursimit fiktiv të barnave.
Gjatë analizës vjetore të këtij institucioni, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theksoi se ky ka qenë një vit i sikletshëm për Fondin në këtë drejtim, ndërsa bëri me dije se situata të tilla nuk do të përsëriten.Drejtoresha e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Vjollca Braho bëri me dije se për shkak të këtij abuzimi të madh, janë prishur kontratat me 20 farmaci dhe janë çuar për ndjekje penalev 50 subjekte farmaceutike.
Në analizën e Fondit për vitin 2015, u vlerësua si arritje check up-i falas i ofruar për moshat nga 45 deri në 60 vjeç, edhe pse filloi me vonesë si proces, është bërë me dije se deri më tani gjysma e përfituesve e ka bërë atë, nga 900 mijë në total. Ndërsa si objektiv për vitin 2016 është vendosur rimbursimi i pajisjeve mjekësore dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme.