Secondary Adv

Brenda 6 mujorit te pare, paga minimale do te rritet me 500 deri ne 1 mije leke

Qeveria do të rrisë pagën minimale brenda 6-mujorit të parë të vitit 2016. Propozimi, sipas kompetencës, do të bëhet nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe pritet të jetë 500 deri në 1 mijë lekë.

 

Ndryshimi mbështetet në nivelin e rritjes ekonomike për vitin 2015. Një vit më parë, qeveria vendosi që paga minimale për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të ishte 22 mijë lekë.Paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve u vendos të ishte deri në 97 030 lekë. Në vitin 2014, paga minimale, për efekt të kontributeve shoqërore, u rrit nga 19,026 lekë në 19 406 lekë. Vitet e fundit, çdo muaj korrik, qeveritë kanë marrë vendimin për të rritur pagën minimale për efekt të kontributeve shoqërore, e cila shoqërohet automatikisht edhe me rritjen e pagës maksimale që llogaritet sa pesëfishi i asaj minimale.  Shqipëria ka pagën minimale më të ulët në Europë, sipas një publikimi nga Eurostat, “Minimum wage statistics”.

 

Paga minimale zyrtare e vendit tonë, e cila nuk ka ndryshuar që nga qershori 2015, është afërsisht 160 euro në muaj.  Eurostat mat edhe pagën minimale në bazë të standardit të fuqisë blerëse në çdo vend, e cila për Shqipërinë është më pak se 300 euro në muaj. Në këtë llogaritje merret parasysh paga bruto minimale, diferencat në nivelin e çmimeve, si dhe shpenzimet finale të konsumatorëve. Kjo do të thotë se qytetarët shqiptarë që paguhen me pagë minimale, kanë më pak mundësi për të blerë ushqime e mallra, në krahasim me vendet e BE-së dhe kandidatët për anëtarë të unionit. Më sipër Shqipërisë, me pagën më të ulët minimale janë Bullgaria, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi, që e kanë pagën minimale nën 200 euro.

 

Aktualisht, sipas Eurostat, 22 nga shtetet anëtare të BE-28 (Danimarkë, Itali, Qipro, Austri, Finlandë dhe Suedi bëjnë përjashtim), kanë një pagë minimale kombëtare zyrtare. Që nga 1 korriku 2015, paga minimale mujore ndryshon shumë nga një shtet në tjetrin, nga 194 euro në Bullgari deri në 1923 euro në Luksemburg. Raporti përfshin edhe pagën minimale kombëtare në vendet kandidate të BE-së: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Turqia. Grafiku i paraqitur më sipër tregon nivelet e pagës bruto minimale mujore të shprehura në euro në korrik të vitit 2015.

 

Vendet janë të ndara në tri grupe në bazë të nivelit. Grupi i parë përfshin vendet, paga minimale e të cilave ishin më të ulëta se 500 euro në muaj. Këtu hyjnë pesë vendet kandidate dhe dhjetë shtete anëtare të BE-së (Bullgaria, Rumania, Lituania, Hungaria, Republika Çeke, Letonia, Sllovakia, Estonia, Kroacia dhe Polonia). Grupi i dytë përbëhet nga pesë shtete anëtare të BE-së (Portugalia, Greqia, Malta, Spanja dhe Sllovenia), secili me një nivel të pagave minimale, duke filluar nga 500 euro deri në 1000 euro në muaj. Eurostat nënvizon se, në të pesë shtetet paga minimale është praktikisht nën 800 euro në muaj. Grupi i tretë përbëhet nga shtatë shtete anëtare të BE-së (Franca, Irlanda, Gjermania, Belgjika, Holanda, Britania e Madhe dhe Luksemburgu), ku paga minimale kombëtare ishte 1000 euro ose më shumë në muaj.

 

Ky grup, me qëllim krahasimin, përfshin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendet e grupit të parë me paga minimale relativisht të ulëta janë të prira të kenë nivele të ulëta të çmimeve, pra relativisht një pagë më të lartë të shprehur sipas standardit të fuqisë blerëse PPS (Purchasing Power Standard). Nga ana tjetër, vendet e grupit të tretë me paga minimale relativisht të larta priren që të kenë çmime më të larta dhe pagat e tyre minimale të shprehura në PPS shpesh janë më të ulëta. Ky rregullim për nivelet e çmimeve ka efektin e zbutjes pjesërisht dhe të thyerjes së dallimeve të mëdha mes tri grupeve të ndryshme të vendeve. Pabarazitë në normat e pagës minimale në mes vendeve të BE-së janë ulur nga një raport prej 1:10 në 1:4 në aspektin e fuqisë blerëse. Anëtarët e BE-së e kanë pagën minimale mujore të matur sipas standardit të fuqisë blerëse PPS nga 401 euro në Bullgari në 1601 në Luksemburg. Kështu, si rezultat i matjes së fuqisë blerëse, vendet e rajonit, si Mali i Zi, Kroacia dhe Turqia zhvendosen nga grupi i parë në të dytin (me paga të nivelit mesatar).


Kush e cakton pagën minimale?
Paga minimale kombëtare zakonisht zbatohet për të gjithë të punësuarit ose të paktën për një shumicë të madhe të të punësuarve në një vend. Ajo zbatohet me ligj, shpesh pas konsultimit me partnerët socialë ose drejtpërdrejt nga një marrëveshje kombëtare ndërsektoriale. Në Shqipëri, paga minimale fiksohet me vendim qeverie, për efekt të pagesës së kontributeve të sigurimeve. Nga presioni i sipërmarrjes së industrisë së fasonit, por edhe sipas rekomandimeve të FMN-së, qeveria “Rama” ka ndjekur deri më sot politikën e “ngrirjes” së pagave.


Më të lexuarat