Secondary Adv

118 mjeke specializante firmosin kontrate me Ministrine e Shendetesise

118 mjekë që fillojnë këtë vit specializimin, kanë nënshkruar kontratat dy-palëshe me Ministrinë e Shëndetësisë, për të shërbyer aty ku ka nevojë vendi, pas përfundimit të studimeve.

 

Duke vlerësuar mjekët e rinj, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e ka konsideruar këtë hap si mjaft të rëndësishëm, e ndërsa tha se gjatë kohës së specializimit, ato do të paguhen 1000 euro në muaj.

 

“Mjekët specializantë në mjekësi që kanë firmosur kontratën me MSH do të marrin rreth 1 mijë euro në muaj.

 

Për 4 vite ju do të merrni 80% të pagës së mjekut specialist duke vajtur kjo rritje në rreth 1000 euro në muaj për çdo mjek i cili është me kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë për 4 vite”, tha Manastirliu. Sipas saj, ky është një tregues i rëndësishëm dhe që ofron siguri për të ardhmen.

 

"Nënshkrimi i marrëveshjeve me ju që jeni mjekë që filloni specializimin këtë vit, në 2023 dhe e përfundoni në 2027, është një pikë kulmore për ju dhe një garanci për qytetarët tanë, që e ardhmja do të jetë më e sigurt në plotësimin e nevojave për mjekë specialistë kudo në vendin tonë.

 

Sigurisht që ne sot kemi mundësi që jo vetëm të hapim specializimet çdo vit, por mbi të gjitha që këto specializime që ne hapim të jenë të vlerësuar në aspektin e profesionit",- tha Manastirliu.

 

Duke folur për Strategjinë '20- '30 në shëndetësi, Manastirliu tha se fokusi është për të garantuar mjekë specialistë dhe investime, të cilat do të mundësojnë kujdes shëndetësor afër vendbanimit, kudo në Shqipëri.

 

Pas 8 viteve mbyllje, prej vitit 2014 janë rihapur specializimet. Kjo praktikë është si një masë për të ndaluar ikjen e mjekëve.

 

Për të frenuar eksodin e mjekëve drejt Gjermanisë, qeveria mund të bëje shumë shpejt gati një paketë masash për të stimuluar mjekët e rinj të qëndrojnë në Shqipëri.

 

Para nisjes së studimeve, studentët e mjekësisë duhet të firmosin kontratë për të punuar të paktën 3 vite në atdhe, pas përfundimit të studimeve duke i mbajtur peng diplomën, ose në të kundërt do paguajnë tarifën vjetore të shkollimit, me koston reale, vlerë e cila ende nuk është përcaktuar./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat