Secondary Adv

Fondi i Nderhyrjes se Jashtezakonshme ne banka arrin ne 40 mln euro

Bankat tregtare kanë shlyer plotësisht edhe kontributin e vitit të gjashtë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme.

 

Në prill të këtij viti, fondi u shtua me 896 milionë lekë nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave. Në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për pesë vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në rreth 4.46 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro.

 

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.

 

Në thelb, ky fond është një instrument për të shpëtuar nga falimentimi bankat që eventualisht mund të ndodhen në vështirësi në të ardhmen, pa qenë nevoja për të kërkuar kontribut nga paratë e taksapaguesve.

 

Ligji reflekton kuadrin e ri të Bashkimit Europian me qëllim shpëtimin e bankave, që u ndërtua pas krizës financiare që nisi në vitin 2008. Në zbatim të ligjit nr.133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”,

 

fondi duhet të arrijë nivelin e synuar prej 0.5% të totalit të detyrimeve të sistemit bankar, të llogaritura si diferencë midis aktiveve totale dhe kapitalit rregullator të të gjitha bankave të licencuara në Republikën e Shqipërisë, brenda 10 viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

 

Mbështetur në vlerën e deritanishme të detyrimeve, projeksioni është që brenda korrikut të 2027 Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme në Banka të arrijë vlerën e 8 miliardë lekëve. Bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit.

 

Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.

 

Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve;

 

plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve;

 

blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve;

 

kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme; mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fondi-i-nderhyrjes-se-jashtezakonshme-ne-banka-arrin-ne-40-milione-euro/


Më të lexuarat