
Individet po blejne borxhin e qeverise, rriten investimet ne bono dhe obligacione
Investimet e individëve në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare vazhduan të rriten edhe në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 15.1 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 67.9% krahasuar me një vit më parë.
Rritja ishte edhe më e lartë e shprehur në numër transaksionesh, që arritën në 5895, me një rritje prej 113.4% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Sipas llojit të instrumenteve financiare, kontributin kryesor e dha rritja shumë e lartë e investimit në bono thesari. Shifrat e AMF-së tregojnë se vlera e blerjeve të bonove në tregun primar arriti në 11.5 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 84.3%.
Investimi në instrumentet aftashkurtra ngelet dominues mes individëve, me 76% të vlerës totale të investuar gjatë periudhës. Ndërkohë, investimi në obligacione arriti në 3.6 miliardë lekë, 30.4% më shumë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022.
Të dhënat e mësipërme u referohen transaksioneve të kryera nëpërmjet ndërmjetësve financiarë të licencuar nga AMF, kryesisht bankave tregtare. Por, investimi në bono thesari mund të kryhet edhe nëpërmjet sporteleve të posaçme të Bankës së Shqipërisë.
Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë e shfuqizoi vendimin e mëparshëm, që parashikonte ndërprerjen e ofrimit të shërbimit e investimit në bono thesari për individët.
Ky vendim u argumentua me nevojën për të lehtësuar pjesëmarrjen e indiidëve në ankande, sidomos gjatë një periudhe kur kërkesa ra ndjeshëm, për shkak të pasigurisë së lartë mes investitorëve institucionalë, shkaktuar nga rritja e shpejtë e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë.
Vitin e kaluar, rritja e fortë e yield-eve të bonove dhe obligacioneve solli një interes të shtuar nga individët për të investuar në këto instrumente.
Për vitin 2022 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.
Pavarësisht se duke filluar nga muaji dhjetor 2022 yield-et nisën një korrektim të dukshëm në rënie, kjo duket se nuk e ka ulur interesin e individëve për të investuar në bono dhe obligacione, siç dëshmojnë edhe të dhënat e tremujorit të parë.
Rritja e yield-eve ka ndikuar edhe në zhvendosjen e kursimeve të shqiptarëve nga produktet e tjera alternative, si depozitat bankare apo kuotat në fondet e investimit.
Depozitat bankare në lekë shfaqën një rritje shumë të vogël vitin e kaluar, ndryshe nga tendenca që ishte shënuar në vitin 2021. Një ecuri e ngjashme është vërejtur edhe në muajt e parë të këtij viti.
Pjesërisht, kjo është ndikuar edhe nga preference në rritje e investiroëve të vegjël për tregun e bonove dhe obligacioneve të qeverisë.
Gjithashtu, vitin e kaluar shumë investitorë vendosën të shisnin kuotat në fondet e investimeve, që vitin e kaluar pësuan një goditje të fortë nga rritja e yield-eve. Kjo shkaktoi një rënie të vlerës së aseteve neto të fondeve me pothuajse 50% vitin e kaluar.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/individet-po-blejne-borxhin-e-qeverise-investimet-ne-bono-dhe-obligacione-rritje-rekord-ne-t-i-2023/
Më të lexuarat








