
Falja e debive, zbardhet relacioni i qeverise per pensionet e ushtarakeve
Shuhet borxhi që ushtarakët kanë ndaj shtetit, si pasojë e aktit normativ të miratuar në 2010-n. Projektligji “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare”, pas miratimit në Qeveri, është dërguar në Kuvend për diskutim.
Sot është zbardhur relacioni i plotë në të cilin përcaktohen kategoritë që përfitojnë, si edhe shumat e mbetura të debisë.
Kategoritë
Nga falja nuk do të përfitojnë vetëm ata që iu është rillogaritur pensioni, por edhe një kategori tjetër, të cilët, për shkak të mangësive në dosje, nuk janë bërë pjesë e skemës, por rezultojnë në borxh. Pra, në total janë 6738 ish-ushtarakë që preken nga akti normativ, prej të cilëve 5425 janë taksuar nga 2009-a, duke u detyruar t’i kthejnë shtetit 20 deri në 25 për qind të pensionit mujor që përfitonin. Gjatë periudhës nga viti 2010 deri në shkurt 2015 janë shlyer 368 milionë lekë, ndërkohë kanë mbetur edhe 984 milionë të tjera, të cilat, pas zyrtarizimit të ligjit të ri, do të fshihen. Relacioni vë në dukje se pjesë e listës së përfituesve do të jenë edhe një kontingjent personash që kanë marrë statusin e debitorit, pasi nuk kanë deklaruar të dhëna të sakta.
“Në këtë numër personash dhe vlerë debitore ka edhe raste ku nuk janë debitorë nga rillogaritja, por kanë rezultuar të tillë për faktin se janë konstatuar të kenë qenë të punësuar apo vetëpunësuar dhe ndërkohë kanë deklaruar fakte jo të vërteta. Të kësaj natyre janë evidentuar mbi 466 persona që kanë një vlerë debie nga 400 mijë deri në 2028 mijë lekë secili, të cilat janë në proces likuidimi”.
Ndërkohë mbeten jashtë “amnistisë” ata të cilët i janë drejtuar gjyqësorit. Vendimet e dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë kanë qenë në favor të ushtarakëve, duke sjellë rritje të pensioneve, por ato janë apeluar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Për çdo çështje të kthyer, ku ISSH-ja ka fituar betejën ligjore, ushtarakët duhet të kthejnë pas shumat e marra mbi vlerën e pensionit që iu është përcaktuar në 2009-n.
Debia
Në 2010-n Qeveria Berisha miratoi ligjin, zbatimi i të cilit solli rillogaritjen e pensioneve për mbi 20 mijë pensione të parakohshme e suplementare, nga të cilat evidentohet të kenë rezultuar debitorë 35 për qind e ushtarakëve. Vlera e gjobës që ka mbetur pa u shlyer është e ndryshme.Ajo varion nga 25 mijë lekë deri në 400 mijë për secilin prej tyre. Ndonëse solli pasojat që solli, ligji ishte vetëm një kapitull nga kalvari i gjatë i ndryshimeve ligjore që u bënë për kategorinë e ushtarakëve. Dokumenti i Qeverisë rendit të gjitha ndryshimet që janë bërë ndër vite, duke i ngjasuar më shumë se çdo gjë tjetër një loje pingpongu.
“Ligji për përfitimet suplementare të ushtarakëve është kontestuar dhe ndryshuar katër herë, konkretisht ligji i 1996 është shfuqizuar me ligjin e 2005, ky i fundit i ndryshuar një vit më vonë, ka riformuluar dispozitat e ligjit të 2005, në lidhje me pensionet e parakohshme, si dhe ligji i 2009, i cili u hartua i plotë. Katër ligjet e lartpërmendura në vazhdim janë kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese, duke shfuqizuar njëri-tjetrin, duke mos gjetur kështu zbatim për shkak të efekteve financiare të larta apo për formulë përfitimesh të papranuar nga ish-ushtarakët”.
Më të lexuarat









