Secondary Adv

Norma baze e interesit pritet te arrije ne 3.75 per qind deri ne fund te 2023

Inflacioni në rënie dhe normalizimi më i ngadaltë i politikës monetare në pjesën e parë të 2023 i ka ulur projeksionet e agjentëve financiarë për rritjen e normës bazë të interesit.

 

Në analizën e fundit për politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë, Raiffeisen Research parashikon që norma bazë e interesit do të arrijë në 3.75% në fund të këtij viti, në ulje nga projeksioni i mëparshëm prej 4.25%.

 

Raiffeisen Research pret që Këshilli Mbikëqyrës të aplikojë edhe tre rritje të tjera të nomës bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje gjatë vitit 2023.

 

Megjithatë, analistët e bankës austriake besojnë se shtrëngimi monetar nuk do të përfundojë në këtë pikë, por, me shumë mundësi, do të duhet të vijojë më tej gjatë vitit 2024.

 

Qeveria shqiptare ka paralajmëruar një rritje të pagave në sektorin shtetëror në intervalin 40%-50% gjatë dy viteve të ardhshme. Kjo pritet të shtojë konkurrencën në tregun e punës me sektorin privat.

 

Nga ana tjetër, ky treg në vitet e fundit po përballet me një mungesë të forcës së punës, faktor që ka sjellë rritje me ritme të larta të pagës mesatare bruto në ekonomi.

 

Duke pasur parasysh edhe faktorët e mësipërm, Raiffeisen Research pret që presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme të vijnë në rritje gjatë një horizonti afatmesëm.

 

Në këto kushte, mund të jetë e nevojshme që rritja e normës bazë të interesit të vijojë edhe përgjatë 2024. Raiffeisen Research pret që norma bazë e interesit të rritet me 0.75 pikë përqindje më shumë vitin e ardhshëm dhe ta mbyllë vitin në nivelin 4.5%.

 

Projeksionet për nivelin e inflacionit nga ana e Raiffeisen Research paraqiten më të larta krahasuar me ato të Bankës së Shqipërisë.

 

Pas mbledhjes së fundit të Këshillit Mbikëqyrës, të datës 3 maj, Banka e Shqipërisë konfirmoi parashikimin se inflacioni pritet të kthehet pranë objektivit prej 3% brenda gjysmës së parë të vitit 2024.

 

Ndërkohë, Raiffeisen Research pret që inflacioni mesatar për këtë vit të ulet në 4.8%, ndërsa për vitin 2024 të ulet në 3.8%, duke qëndruar sërish sipër objektivit të Bankës së Shqipërisë.

 

Pas një rritjeje mjaft agresive të normave të interesit në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë këtë vit e ka frenuar ndjeshëm shtrëngimin monetar, me vetëm një rritje të normës bazë prej 0.25 pikë përqindje gjatë gjashtë muajve të fundit.

 

“Zbutja” e Bankës së Shqipërisë është argumentuar me rënien e inflacionit dhe me forcimin e ndjeshëm të lekut në kursin e këmbimit valutor, sidomos kundrejt euros. Në prill, inflacioni zbriti në nivelin 4.6%, ndërsa leku shënoi rekorde të reja në mbiçmimin ndaj monedhës europiane.

 

Këta faktorë kanë bërë që Banka e Shqipërisë ta ngadalësojë rritjen e normave të interesit, duke ecur me një hap më të ngadaltë krahasuar me Bankën Qendrore Europiane.

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/projeksionet-ne-zbutje-norma-baze-e-interesit-pritet-te-arrije-ne-3-75-deri-ne-fund-te-vitit/


Më të lexuarat