Secondary Adv

Kompensimi i energjise, perfitim edhe familjet qe jetojne ne fshatra

Kompensimi i energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kwh në muaj do të mund të përfitohet edhe nga familjet me vendbanim në fshat.

 

Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në një mbledhje të zhvilluar në datën 17.03.2016 ka miratuar projektvendimin, i cili parashikon pikërisht një ndryshim në vendimin e mëparshëm, që synon mbrojtjen e shtresave në nevojë për shkak të ndryshimit të mënyrës së faturimit të energjisë elektrike.


Ndërkaq, përmes një prononcimi dhënë për “Gazeta Shqiptare”, drejtori i Inspektimit, të Marrëdhënieve të Punës dhe Dialogut Social në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Astrit Kuko shpjegoi arsyet e këtij propozimi. “Meqenëse kemi komuna si Dajti, Farka, Kashari etj., që për efekt të ndarjes administrative quhen fshatra, nuk kishte asnjë lloj kuptimi që një person që jeton në një prej këtyre zonave të mos përfitojë kompensim vetëm se konsiderohet ‘fshat’. Ndaj, përmes këtij projektvendimi ne kemi thënë që ta përfitojnë të gjithë kompensimin e energjisë, fshat dhe qytet”, – u shpreh Kuko.

 

Po ashtu, ai bën me dije se nga ky ndryshim pritet të përfitojnë rreth 5000 familje. “Nga përllogaritjet tona paraprake bëhet fjalë për mbi 5000 familje, që do të mund të përfitojnë nga miratimi i këtij vendimi”, – tha Kuko, teksa theksoi se pas miratimit në Këshillin Administrativ të ISSH-së, propozimi do të shkojë në MMSR, e më pas do të duhet t’i hapet rruga miratimit pranë Këshillit të Ministrave. Ndërkaq, sa i takon masës së kompensimit, në rast se i referohemi vendimit të mëparshëm të qeverisë, atëherë bëhet fjalë për 648 lekë në muaj, që aktualisht e përfitojnë familjet që u takojnë shtresave në nevojë. Deri më tani kjo masë përfitohej vetëm nga ata kryefamiljarë, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por me kushtin që të ishin me banim në qytet.


Përfituesit
Aktualisht, sipas vendimit të qeverisë, kompensim të diferencës sëm çmimit të energjisë elektrike përfitojnë të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Po ashtu, kompensim përfitojnë edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat, si dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar. Kushti për të përfituar kompensim për këto kategori është që personi të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Ndërkaq, dy kategoritë e fundit që kompensohen për energjinë elektrike janë të verbrit si dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton gjithashtu se kompensimi, për familjet përfituese bëhet vetëm për 1 kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje, pavarësisht se ato mund të kenë në përbërje edhe të punësuar të tjerë në sektorin buxhetor, të cilët kanë pagë nën 35 000 lekë, apo persona të paaftë a invalidë, persona që përfitojnë pension pleqërie, invaliditeti apo ndihmë ekonomike.


Vetëdeklarimi
Për të përfituar, personat që u përkasin këtyre shtresave duhet të bëjnë një vetëdeklarim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrin paratë. Kjo sipas një vendimi qeverie që rregullon mënyrën e përfitimit e ku saktësohet se kjo procedurë zhvillohet pranë institucioneve përkatëse në të cilat përfituesit marrin pagën, pensionin apo përfitimet e tjera.


“Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat i heqjes së fashës deri në 300 Kwh, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim, ndërsa theksohet se ata persona që do të bëjnë deklarim të rremë, do të detyrohen ta kthejnë përfitimin e padrejtë si dhe do të përjashtohen, përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike.


Kategoritë që do të kompensohen

1. Familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, sipas pikës 3, të nenit 7, të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

2.Kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

3. Kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

4. Familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

5.Të verbrit;

6.Personat paraplegjikë e tetraplegjikë.Masa e kompensimit është 648 lekë në muaj

7.Kompensim do të përfitojnë 203.928 familje

8. Familje me ndihmë ekonomike 88.094 familje

9. Kryefamiljarë në pensione pleqërie e invaliditeti 80.000 familje

10.Familje që kanë në përbërje PAK 7000 familje

11.Të verbër (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012) 13.016 familje

12.Para e tetraplegjikë (sipas VKM nr. 404, datë 20.6.2012) 6818 familje

13.Punonjës buxhetorë me pagë nën 35 mijë lekë në muaj 9000 familje


Më të lexuarat