
Auto Moto Park, DPSHTRR hap tjeter tender per projektin
Në fillim të shkurtit të këtij viti Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor shpalli kompaninë fituese për projektin e Auto Moto Park.
Projekti i austriakëve të “Test & Training International” ishte fituesi që do të gjejë edhe zbatim.
Por së fundmi DPSHTRR ka hapur një procedurë e cila do të vlerësojë qëndrueshmërinë e këtij projekti, interesin real në treg dhe mundësitë që ka për të pasur një plan biznesi të konsoliduar si dhe ndikimin ekonomik të plotë.
Në faqen e APP tashmë është hapur procedura me objekt “Studim i Fizibilitetit dhe Planit të Biznesit” për investimin me objekt “Auto-Moto Park me pistë testimi e eventesh ngjarjeje sportive, një zonë e dedikuar për aktivitet Auto-Moto, Hapësirë për Kontrollin e Aftësisë për Qarkullim dhe Homologim të Mjeteve.
Në dokumentet që shoqërojnë procedurën thuhet se është e nevojshme që të bëhet një analizë tregu për të përcaktuar qëndrueshmërinë e këtij projekti
“Duhet të bëhet një analizë gjithëpërfshirëse për të përcaktuar target group-in e synuar, preferencat e tyre dhe konkurencën. Kjo përfshin të kuptuarit e kërkesës që ka për një cirkuit garash dhe facilitetet që do të ketë brenda AMP.
Kjo analizë duhet të vlerësojë gjithashtu potencialin për bashkëpunim me biznese dhe industri të tjera në zonë” thuhet në dokument. Analiza që kërkohet të zhvillohet duhet të përfshijë si dimensionin teknik edhe atë ekonomik.
Analiza teknike
Kështu sa i takon asaj teknike disa nga pikat që duhet të përfshihen sipas DPSHTRR janë dizajni dhe gjatësia e pistës në mënyrë që të përmbushë standardet e industrisë duke përfshirë veçori unike të cilat mund të tërheqin garues dhe spektatorë.
Po kështu dizajni i objekteve dhe strukturave të ndryshme në mënyrë që të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të rehatshme për publikun, gjë e cila do të përmirësojë përvojën e përgjithshme dhe do të rrisë kënaqësinë e klientit.
Një tjetër element është sigurimi i aksesit dhe lëvizshmërisë për të gjithë, duke përfshirë aksesin e PAK, do të ndihmojë në gjithëpërfshirje dhe diversitetit në strukturë.
Analiza e kërkesave operacionale të cilat do të nevojiten për ndërtimin e kompleksit si dhe vlerësimi i fizibilitetit të çdo strukture dhe piste të kërkuar brenda AMP.
Analiza financiare
Ndërkohë që analiza financiare duhet të përfshijë së pari përgatitjen e kantierit dhe kostot e infrastrukturës lidhen me përgatitjen e vendit, të tilla si instalimi i shërbimeve, aksesi në rrugë, etj., të cilat mund të ndihmojnë në përgatitjen e buxhetit dhe të afatit kohor.
Së dyti, analiza e kostove të lejeve, licencave, ndërtimin e objekteve, pistës së garimit apo strukturave të ndryshme të shërbimit për pistën dhe spektatorëve, blerja e pajisjeve dhe makinerive, do të ndihmojnë në përgatitjen e buxhetit dhe nevojat për financim.
Së treti, duke kuptuar kostot e vazhdueshme operacionale të funksionimit të këtij kompleksi, të tilla si pagat e personelit, mirëmbajtja e pajisjeve, faturat e shërbimeve dhe kostot e realizimit të eventeve, do të na ndihmojë në projeksionet e çmimeve dhe të ardhurave të cilat do të përfitohen.
Së katërti, identifikimi i mundësive për kursimin e energjisë dhe ujit, reduktimin e mbetjeve dhe praktika të tjera të qëndrueshme, mund të ndihmojnë në uljen e kostove operacionale me kalimin e kohës.
Së pesti projeksionet e të ardhurave dhe shpenzimeve me kalimin e kohës dhe krahasimi i tyre me investimin fillestar do të ndihmojë në përcaktimin e fizibilitetit dhe përfitimeve të këtij projekti. Së gjashti koha e kthimit të investimit.
Ndikimi ekonomik
Në dokumente vlerësohet se ndikimi ekonomik i projektit duhet të trajtohet në detaj dhe kjo ka të bëjë me krijimin e vendeve të punës, rritjen e turizmit dhe rritjen ekonomike në vend.
Ai duhet të marrë në konsideratë potencialin për bashkëpunim me bizneset dhe industrinë e zonës për të maksimizuar ndikimin ekonommik. “Disa nga pikat kryesore që duhet të përfshijë kjo analizë janë:
• Vlerësimi i numrit të vendeve të punës direkte dhe indirekte të cilat do të krijohen nga fazat e ndërtimit apo funksionimit të AMP si dhe vlerësimi i pagave dhe përfitimeve të pritshme, duke i krahasuar me normat aktuale mesatare.
• Vlerësimin e rritjes së turizmit dhe të ardhurave që pritet të gjenerohen nga vizitorët. • Ndikimin në zhvillimin e infrastrukturës lokale për të përcaktuar nevojën për përmirësim në mbështetje të këtij zhvillimi.
• Analiza e rritjes ekonomike për komunitetin lokal duke vlerësuar përfitimet direkte apo indirekte që ky projekt do ti sjellë komunitetit, si dhe potencialin për përfitimin e projekteve të tjera të zhvillimit ekonomik në rajon.
Identifikimi i mundësive për bashkëpunim dhe partneritet duke analizuar potencialin e objektit për të tërhequr sponsorizime ose investime nga biznese apo industri të tjera në rajon.
• Analiza e valës së ndikimit në ekonominë rajonale dhe atë kombëtare nëpërmjet identifikimit të efekteve në qeverinë lokale dhe vendore dhe potencialin për tërheqjen e mbulimit mediatik ndërkombëtar për promovimin e këtij destinacioni”, thuhet në dokument.
Përveç kësaj, studimi duhet të marrë në vlerësim edhe ndikimin social të projektit si dhe analizën e rrezikut./Burimi; Monitor https://www.monitor.al/auto-moto-park-dpshtrr-studim-fizibiliteti-per-qendrueshmerine-dhe-efektin-ekonomik/
Më të lexuarat








