PS humbi 46 mije vota krahasuar me 2021, koalicioni BF 200 mije vota me pak
Ndërsa kanë kaluar dy ditë nga zgjedhjet, dhe numërimi është drejt fundit, tashmë dalin në pah shifrat për t’u krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Kështu, kandidatët e Partisë Socialiste në të gjithë vendin morën 765 mijë vota të dielën, gati 46 mijë vota më pak nga sa Partia Socialiste dhe aleatët e tyre joformalë, Partia Socialdemokrate, patën marrë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Përkundrejt kandidatëve socialistë, kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare morën së bashku të dielën 522 mijë vota. Në vitin 2021, dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, patën marrë së bashku 730 mijë vota.
Në total, opozita ka humbur 207 mijë vota në të gjithë territorin e vendit në krahasim me votat që pati marrë në zgjedhjet e kaluara. Koalicioni i majtë kishte 810 mijë ne 2021, ndërsa në 2023 ka 765 mijë vota.
Koalicioni i djathtë kishte 729 mijë në 2021, ndërsa në këto zgjedhje ka marrë 522 mijë vota. Të dielën, rreth 7% e votuesve hodhën vota të pavlefshme apo votuan kandidatë të tjerë të pavarur.
Kandidati më i fortë doli Arlind Qori nga Lëvizja Bashkë, i cili garoi në Tiranë dhe mori gati 14 mijë vota. Ai u rendit i treti pas Veliajt dhe Këlliçit./Burimi: BalkanWeb