Ambasadorja e BE: Administrata te arrije standardet e Bashkimit Europian
Departamenti i Administratës Publike me Ministrinë e Shtetit për Standardet e Shërbimeve zhvilluan një konferencë për rritjen e kapaciteteve të administratës publike.
Të pranishëm në konferencë Ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbime, Milva Ekonomi, ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq, ambasadore e Delegacionit të BE-së, Christiane Hohmann si dhe ambasadorë të tjerë të vendeve të BE në Shqipëri.
Në fjalën e saj, ambasadorja e BE-së në vendin tonë Christiane Hohmann u shpreh se merita duhet të jetë kriteri i vetëm i marrjes së statutit të nëpunësit publik. Sipas Hohman, administrata publike duhet të arrijë standardet e BE-së.
‘Projekti i parë i programeve është që administrata të arrijë standardet e BE-së. 25 të rinj do të marrin pjesë në trajnime, duke parë se si është organizuar pjesa e administrimit në vendet e BE-së.
Ne kemi disa programe që mbështesin administratën publike. Në fokus është rekrutimi, pavarësia dhe profesionalizmi. Në besojmë se merita duhet të jetë kriteri i vetëm i marrjes së statutit të nëpunësit publik.
Reforma në administratën publike është në fokus. 70% e legjislacionit të BE do të vihet në dispozicion të administratës publike qendrore. Të njëjtën gjë duhet të realizojmë edhe në administratën vendore.’- tha Hohman./Burimi: Shqiptarja.com