2.6 mln euro nga taksa e hotelit, 75 per qind arketohet nga 5 qytete
Taksa e hotelit është një ndër zërat me kontribut të lartë në buxhetet e bashkive në të gjithë vendin.
Konkretisht, sipas të dhënave të raportit të publikuar nga Instituti i Bashkive të Shqipërisë në vitin 2021 nga kjo taksë janë mbledhur afro 1.7 milionë euro, ndërsa në 2022 shifra ka kapërcyer në 2.6 milionë euro me një rritje prej 53 për qind, por pavarësisht rritjes, të ardhurat nga kjo taksë sërish mbeten nën potencial.
Sipas raportit të financave vendore të hartuar nga CO-Plan, rezulton se gjatë 2021, 27/61 bashki nuk regjistrojnë të ardhura nga taksa e shërbimit hotelier dhe 22/61 bashki regjistrojnë nivel të ardhurash që llogaritet në më pak se 1% të ardhurës totale të gjeneruar nga kjo taksë (përfshirë këtu bashki me aktivitet turistik të konsoliduar).
Një problem shqetësues në sektorin e turizmit është informaliteti, i cili shfaqet në forma të ndryshme si mosregjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mosdeklarimi i netëve të qëndrimit apo deklarimi i numrave fiktivë.
Ekziston një hendek i madh në numrin e strukturave akomoduese të deklaruara përkundrejt atyre që realisht ushtrojnë aktivitetin në territor.
Në mungesë të formalizmit të sektorit, bashkitë humbasin çdo vit të ardhura për buxhetet e tyre, të ardhura të cilat mund të përdoreshin për përmirësimin e strukturave dhe infrastrukturave turistike.
Në vitin 2021, rreth 36% e të ardhurave nga taksa e hotelit u mblodhën në bashkinë Tiranë, ndjekur nga bashkitë Durrës dhe Sarandë të cilat mbledhin respektivisht rreth 10%, bashkia Vlorë me rreth 8% dhe bashkia Shkodër me 7% të të ardhurave totale të mbledhura nga kjo taksë.
Së bashku, këto 5 bashki mblodhën rreth 75% të të ardhurave nga taksa e hotelit për vitin 2021.