
10 porosite, FMN-Qeveri debat per heqjen e taksave per biznesin e vogel
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) bie dakord me qeverinë për lëvrimin e këstit të shtatë të huas, ndërkohë lë 10 porosi për qeverinë. FMN-ja nuk është dakord për heqjen e taksave për biznesin e vogël, po ashtu u deklarua se koncesioni i TVSH-së nuk i bind lidhur me përfitimet e shtetit.
Në një dalje të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, shefja e programit të FMN-së për Shqipërinë, Anita Tuladhar, tha se për çdo koncesion duhet bërë transparencë. Misioni i FMN-së vizitoi Tiranën gjatë periudhës 9-22 mars 2016, për të zhvilluar diskutime për shqyrtimin e shtatë të marrëveshjes së Fondit të Zgjeruar për Shqipërinë. Në përfundim të vizitës, zonja Tuladhar deklaroi se “Ekipi i FMN-së arriti një marrëveshje në nivel stafi me autoritetet, për politikat që nevojiten për të përfunduar shqyrtimin e shtatë të programit”.
Koncesionet PPP
“Për sa u përket koncesioneve dhe partneriteteve-publik-privat (PPP), qëndrimi ynë është që duhet të studiohet me kujdes risku që ata përmbajnë për financat publike. Duhet t’u nënshtrohen analizave të hollësishme të elementeve të kostove e përfitimeve dhe të fizibilitetit. E rëndësishme është që të bëhet e mundur transparenca e impakteve që këto projekte e këto kontrata do të kenë në financat publike”, është shprehur Tuladhar. “Nevojitet të përmirësohet menaxhimi i shpenzimeve të investimeve publike, përfshirë edhe PPP-të, për të mbështetur rritjen ekonomike, për të ulur rreziqet fiskale dhe për të kontribuuar në qëndrueshmërinë afatmesme të borxhit”, u shpreh Tuladhar.
Koncesioni i TVSH-së
Në lidhje me koncesionin për TVSH-në, Anita Tuladhar tha se është shumë e rëndësishme që të realizohet një studim për këtë çështje. “Fondi i qëndron idesë se është shumë e rëndësishme që të ndërmerret një analizë e rëndësishme e riskut në një rast të tillë të shoqëruar me kryerjen e studimeve të fizibilitetit dhe një analizë e mirë kosto-përfitime. Këto duhet të reflektojnë dhe efektin në buxhet”, tha Tuladhar. Po ashtu, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi se termat e referencës i janë dërguar FMN-së dhe janë marrë disa komente dhe çdo vendim që do të marrin do të ketë konsensusin e FMN-së.
Përjashtimi i biznesit të vogël
Një çështje ku FMN-ja dhe qeveria kanë mospërputhje mendimesh është heqja e taksave për biznesin e vogël. Anita Tuladhar deklaroi: “Jemi kundër përjashtimit të taksave”. Ndërsa Ahmetaj u shpreh se “Ministria e Financës, administrata tatimore do të fokusohet në monitorimin e biznesit të vogël. Të minimizojmë evazionin, kështu që besoj jam shumë i qartë në atë që ju transmetoj”.
Mbledhja e taksave
Ndër porositë e FMN-së zë vend edhe mbledhja e të ardhurave. “Aktualisht duhen marrë një sërë masash për buxhetin dhe zgjerimi i bazës së tatueshme është njëra”, tha Tuladhar. Lidhur me këtë problem, shefja e FMN-së shtoi: “Për të ruajtur në kohë konsolidimin fiskal, do të jetë i nevojshëm zgjerimi i bazës tatimore dhe përmirësimi i përmbushjes së detyrimeve tatimore nga ana e subjekteve”.
Reforma në drejtësi
Reforma në drejtësi ka zënë vend për herë të parë në fjalorin ekonomik të FMN-së. “Përshpejtimi i zbatimit të reformave strukturore, me fokus te të drejtat e pronës, qeverisja dhe gjyqësori, ka rëndësi kritike për të fuqizuar aftësinë konkurruese, për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të katalizuar një rritje më të fortë ekonomike”, u shpreh Tuladhar.
Vonesat në program
Megjithëse janë kryer reforma strukturore, sipas Tuladhar, “ka pasur vonesa në disa fusha, si ndryshimi i ligjit organik për buxhetin”. “Programi ekonomik i Shqipërisë po ecën përgjithësisht sipas planit, me përmbushje të të gjitha kritereve sasiore të performancës në bazë të programit dhe me zbatim të fortë të reformave strukturore, si ajo në sektorin energjetik”, u shpreh Tuladhar.
Rënia e çmimit të naftës
“Një risk për buxhetin përbëjnë mungesat e mundshme në realizimin e të ardhurave buxhetore, për shkak të rënies së çmimeve të naftës, prandaj u sugjerohet autoriteteve shqiptare ta ndjekin nga afër këtë çështje dhe të miratojnë masat e duhura, sipas nevojës”, deklaroi Tuladhar.
Politika monetare
“Rekomandojmë që Banka e Shqipërisë të vazhdojë të mbajë një politikë monetare lehtësuese, duke ulur normën e interesit, në përputhje me objektivin e saj për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”, porositi shefja e FMN-së.
Inflacioni
Ekipi i FMN-së pret që rimëkëmbja ekonomike të vazhdojë, ku rritja e PBB-së parashikohet të arrijë 3.4 për qind në vitin 2016, mbështetur kryesisht nga investimet e huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjetik dhe nga kërkesa konsumatore që po rritet gradualisht. “Inflacioni pritet të mbetet i ulët në rreth 1.9 për qind, duke reflektuar një rënie të çmimeve të naftës, trysni globalisht jo inflacioniste dhe prodhimin që vazhdon të jetë nën potencial”, tha Tuladhar.
Kreditimi
FMN-ja e shikon kredinë e keqe si pengesë për kreditimin. “Për të fuqizuar huadhënien për sektorin privat, rekomandojmë që qeveria dhe Banka e Shqipërisë të vijojnë vënien në zbatim të strategjisë së tyre për zgjidhjen e kredive problematike, përfshirë edhe përmirësimin e ekzekutimit të kolateralit”, tha Tuladhar në adresë të sektorit bankar.
Më të lexuarat








