ISSH: Kontribuesit ne sigurime u rriten me 1,3 per qind ne 2022
Numri mesatar i personave që paguan sigurime shoqërore në vitin 2022 arriti në 801,480 me rritje 1.3% në krahasim me vitin paraardhës, sipas të dhënave zyrtare nga ISSH.
Në sektorin biznesit (përjashtuar bujqësinë) personat e përfshire në skemën e sigurimeve arritën në 385,412 me 2022 me rritje 3.1 për qind në raport me vitin paraardhës, teksa punësimi në sektorin publik shënoi zgjerim të mëtejshëm, me 1,4 për qind.
Numri i të vetë-punësuarve në sigurime arriti me në 135,215 persona me një rënie të lehtë 0.4% në krahasim me vitin 2021. Rritjen më të madhe e patën fermerët me rreth 6%. Gjatë vitit të kaluar 62,070 fermerë paguan sigurime nga 58,091 në vitin 2021.
Zhvillimet në tregun e punës tregojnë ende për një informalitet të lartë. Të dhënat zyrtare të INSTAT që burojnë nga Anketa e Forcave të punës tregojnë se në vitin 2022 u punësuan mesatarisht 50 mijë persona më shumë se në vitin 2021.
Por të dhënat administrative tregojnë se nga këto 50 mijë persona të punësuar rishtas vetëm 10 mijë janë përfshirë në skemën e sigurimeve. Bujqësia është sektori që vuan nivelin më të lartë të informalitetit.
Në vitin 2022 numri mesatar i personave të punësuar ishte rreth 1,3 milionë sipas Anketës së Forcave të Punës, ndërkohë që rreth 43 për qind e tyre janë të angazhuar në sektorin bujqësor.
Nga rreth 566 mijë të punësuar që raportohen në sektorin bujqësor vetëm 10% e tyre rreth 62 mijë paguajnë sigurime. Informaliteti në bujqësi është rreth 90% sipas këtij krahasimi.
Nga totali i të punësuarve prej 1,3 milionë personash në 2022, vetëm 801 mijë paguan sigurime ose 61%. Gjatë viteve të fundit ky tregues është përmirësuar pasi rreth 5 vite më parë nga totali i të punësuarve më pak se gjysma ishin të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore.
Tregu i punës në vendin tonë ka treguar dinamizëm pavarësisht krizës pandemike dhe luftës në Ukrainë. Por struktura e punësimit po tregon për dobësi në moshat e reja.
Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5% në 3-mujorin e fundit 2022, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, papunësia në këtë grup-moshë është rritur me 0,9 pikë përqindje, teksa vendet e reja të punës nuk janë shpërndarë në mënyrë të drejtë sipas rajoneve.
Burimet zyrtare të të dhënave tregojnë se qeveria shqiptare ka ende një hapësire të lartë nga informaliteti në tregun e punës për të rritur të ardhurat në zërat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.