
Fitimet e pashperndara te bankave prekin vleren me te larte historike
Fitimet e pashpërndara të sektorit bankar arritën vlerën më të lartë historike në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e fitimeve të pashpërndara (pa përfshirë fitimet e vitit në vazhdim) arriti në 49.4 miliardë lekë ose rreth 440 milionë euro.
Vlera e fitimeve të pashpërndara të bankave tregtare është rritur me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Paralelisht, edhe pesha e fitimeve të pashpërndara në strukturën e kapitalit aksioner të sektorit arriti një vlerë rekord.
Në fund të muajit mars, fitimet e pashpërndara përbënin 27.06% të kapityalit aksioner, në rritje me 0.85 pikë krahasuar me një vit më parë dhe në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Që nga qershori 2011 e deri në shtator 2018, rezultati negativ i akumuluar dha një kontribut negative në strukturën e kapitalit aksioner të sistemit.
Piku arriti në fund të vitit 2014, kur humbjet e akumuluara përbënin pothuajse 25% të kapitalit aksioner. Ky keqësim i performancës financiare u shkaktuar nga rritja e fortë e kredive me probleme.
Përmirësimi gradual i performancës bëri që në fund të vitit 2018 fitimet e pashpërndara të jepnin një efekt pozitiv në kapitalizimin e sektorit, ndërsa këtë vit kanë arritur nivelet më të larta historike.
Kontributi i fitimeve të pashpërndara është një tregues i rëndësishëm, sepse është një element mbi të cilin banka mund të mbështesë rritjen e mëtejshme ose të përthithë goditjet nga keqësimi i performancës financiare korrente, pa iu drejtuar aksionerëve për të injektuar kapital shtesë.
Rritja e fitimeve të pashpërndara të bankave në vitet e fundit është e lidhur, në radhë të parë, me përmirësimin e ndjeshëm të performancës financiare të bankave.
Sidomos pas vitit 2017, sektori bankar ka regjistruar rezultate financiare pozitive dhe ka arritur të kompensojë humbjet e akumualuara gjatë viteve të krizës së kredive të këqija.
Megjithëse fitimet janë shtuar nga rezultatet financiare pozitive, shpërndarja e tyre është frenuar ndjeshëm nga kërkesat e kuadrit rregullator të Bankës së Shqipërisë.
Së pari, që prej 2019, BSH ka nisur aplikimin e shtesave makroprudenciale të kapitalit, ndërsa prej vitit 2020 bankat më të mëdha janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL) e lidhur me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”.
Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.
Në terma mesatarë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 18.9% në fund të tremujorit I 2023, nga 17.9% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në periudhën 2020-2022, rritja e vlerës së fitimeve të pashpërndara është ndikuar ndjeshëm edhe nga kufizimet e vendosura prej Bankës së Shqipërisë, që nuk ka lejuar shpërndarjen e fitimeve të realizuara në vitin paraardhës.
Burimi: Monitor https://www.monitor.al/fitimet-e-pashperndara-te-sektorit-bankar-prekin-vleren-me-te-larte-historike/
Më të lexuarat








