Secondary Adv

Shqiptaret po kursejne ne euro dhe investojne ne leke, bum depozitat ne valute

Viti 2023 vijon trendin e rritjes së ndjeshme të depozitave në euro në sistemin bankar shqiptar, duke lënë dukshëm pas ato në lekë.

 

Në fund të marsit, depozitat në total të bankave kanë shfaqur rritje vjetore me 9.6%, nivel ky i ngjashëm me rritjen mesatare të shënuar në gjysmën e dytë të vitit 2022, por rritje që i dedikohet tërësisht prurjeve në euro.

 

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, depozitat në lekë kanë shënuar rritje modeste, prej (2.9%), ndërkohë që depozitat në valutë kanë vijuar të rriten me norma dyshifrore (15.7%).

 

Shkak i rënies së depozitave në lekë është edhe zhvendosja e mirë e tyre, nga depozitat bankare, në bono thesari, të cilat vijojnë të ofrojnë interesa mjaft të larta.

 

Ecuria është e njëjtë me vitin 2022, kur depozitat kanë njohur rritje vjetore mesatarisht prej 10.4%, rreth 1 pikë përqindje më e lartë se një vit më parë.

 

Dhe ishte pikërisht Zgjerimi më i shpejtë i depozitave në valutë ai që kompensoi rritjen më të ngadaltë të depozitave në lekë. Depozitat në valutë të bankave, u rritën mbi 15% ose 6 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.

 

Ndryshime pozitive, megjithëse shumë më modeste, kanë regjistruar edhe normat e interesit për depozitat me afat në euro, duke shënuar 0.8% në tremujorin e parë të vitit, nga 0.7% në tremujorin e mëparshëm.

 

Diferenca mes interesit të depozitave me afat në lekë dhe atij në euro është rritur në 0.7 pikë përqindje në tre muajt e fundit, nga niveli mesatar prej 0.5 pikë përqindje i viteve 2020-2021 dhe i gjysmës së parë të vitit 2022./Burimi: Scan


Më të lexuarat