Secondary Adv

Mali i Zi dhe Shqiperia me nivelet me te larta te kredive me probleme

Me gjithë tendencën e vazhdueshme në rënie gjatë viteve të fundit, Shqipëria ende vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndër më të lartët në Rajon.

 

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme për sektorin bankar shqiptar në fund të vitit të kaluar ishte në nivelin 5%, ndërsa në fund të tremujorit të parë ka shënuar një rritje të lehtë në 5.15%.

 

Mbështetur në të dhënat e Bankave Qendrore të vendeve të rajonit, vendi me raportin më të lartë të kredive me probleme në fund të vitit 2022 ishte Mali i Zi, në nivelin 5%.

 

Mali i Zi, së bashku me Shqipërinë, në periudhën e paskrizës financiare të vitit 2008 pati nivelet më të larta të raportit të kredive me probleme.

 

Megjithë uljen graduale, sidomos pas vitit 2017, Mali i Zi dhe Shqipëria vazhdojnë të kenë nivelet më të larta të këtij treguesi krahasuar me vendet e tjera të këtij rajoni.

 

Pas Shqipërisë, vijon Bosnje Hercegovina, me një raport të kredive me probleme në nivelin 4.5%, e ndjekur nga Serbia, me 3%, Maqedonia e Veriut, me 2.8% dhe Kosova, me 2%.

 

Për shumicën e vendeve ky tregues ka shënuar një rënie të mëtejshme gjatë vitit të kaluar, por në një masë më të vogël krahasuar me vitet e mëparshme. Raporti i kredive me probleme në Shqipëri vitin e kaluar pësoi një rënie me rreth 0.65 pikë përqindje.

 

Megjithë përpjekjet e shumta, sektori bankar nuk ka arritur ta ulë raportin e kredive me probleme në nivelet minimale të para krizës së vitit 2008.

 

Ky proces u frenua disi nga efektet afatshkurtra të pandemisë në vitet 2020-2021, ndërkohë që inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit shtrojnë sfida të reja.

 

Këto efekte u shfaqën vetëm pjesërisht vitin e kaluar, duke e ngadalësuar ritmin e rënies së raportit të kredive me probleme.

 

Në projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe bankave tregtare, një rritje e lehtë e raportit të kredive me probleme është e pritshme për vitin 2023. Megjithatë, për tremujorin e parë të vitit rritja ka qenë mjaft e lehtë.

 

Normat e interesit në tregun financiar po shfaqen më të stabilizuara. Nga ana tjetër, mund të vlerësohet se një ndikim të konsiderueshëm pozitiv po jep edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

 

Më shumë se gjysma e portofolit të kredisë bankare është në valutë të huaj dhe një pjesë e mirë u takon huamarrësve që i sigurojnë të ardhurat e tyre në lekë.

 

Kursi i euros ka prekur tashmë minimumet historike dhe monedha europiane ku humbur pothuajse 8% të vlerës krahasuar me një vit më parë.

 

Kjo po i ndihmon huamarrësit në valutë të përballojnë më lehtë rritjen e normave të interesit dhe uljen e fuqisë blerëse që ka shkaktuar inflacioni i lartë.

 

Banka e Shqipërisë ka gati një plan masash për të parandaluar një rritje të rëndësishme të kredive me probleme, që ka në thelb lehtësimin e ristrukturimeve. 

 

Burimi: Monitor https://www.monitor.al/kredite-me-probleme-mali-i-zi-dhe-shqiperia-me-nivelet-me-te-larte-ne-rajon/


Më të lexuarat