Secondary Adv

Bankat rrisin kredine per ekonomine ne valute

Bankat kanë frenuar investimin në asete jashtë vendit në 12 muajt e fundit.

 

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të tremujorit të parë të këtij viti totali i aktiveve në valutë të sektorit bankar arriti në vlerën e barazvlefshme me 688.8 miliardë lekë, në rritje me 4.9% krahasuar me një vit më parë.

 

Në fakt, statistikisht shkalla e rritjes është tkurrur ndjeshëm nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor, sidomos në kursin e këmbimit me euron.

 

Por, ndërkohë që aktivet në valutë të huaj janë rritur me 4.9%, vlera e aktiveve të investuara jashtë vendit ka ngelur pothuajse e pandryshuar krahasuar me një vit më parë.

 

Statistikat tregojnë se vlera e aktiveve jorezidente të sektorit bankar arriti në 392.2 miliardë lekë, në rritje vjetore me 0.25%.

 

Edhe në këtë rast efekti i kursit të këmbimit ka luajtur një rol të ndjeshëm në statistika, por sidoqoftë, rritja e aktiveve jorezidente është shumë më e ulët krahasuar me rritjen e aktiveve në valutë.

 

Kjo në thelb tregon se në vitin e fundit bankat kanë investuar më shumë aktive në valutë brenda vendit dhe kryesisht në kredi.

 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit të kaluar kredia në valutë është rritur me ritme ndjeshëm më të larta se kredia në lekë, çka ka sjellë edhe rritjen e peshës së kreditimit në valutë ndaj totalit të kredisë bankare.

 

Në fund të tremujorit të parë të vitit, kredia në valutë të huaj rezultonte në rritje vjetore me 12.3%, ndërsa kredia në lekë me vetëm 4.9%. Rritja ka qenë veçanërisht e theksuar në segmentin e individëve, ku kredia në valutë shënoi një rritje vjetore me 22.8%.

 

Dominimi në rritje i euros në strukturën e depozitave po rrit edhe ofertën e bankave për kredi në monedhën europiane.

 

Nga ana tjetër, pozitat e dobëta të monedhës europiane në kursin e këmbimit ndaj lekut mund të kenë nxitur më shumë preferencën e individëve për të marrë kredi në euro, sidomos me qëllim blerjen e banesave.

 

Ndërkohë, për momentin bankat po preferojnë të investojnë më pak asete jashtë vendit, pavarësisht rritjes së ndjeshme të normave të interesit në tregjet ndërkombëtare.

 

Aktivet jorezidente të bankave konsistojnë kryesisht në vendosje në formë depozitash në bankat e huaja, në investime në tituj dhe në kredi për subjekte jorezidente.

 

Kredia e dhënë jashtë vendit në 12 muajt e fundit është shfaqur në stanjacion, duke reflektuar rreziqet në rritje të lidhura me inlfacionin e lartë dhe rritjen e normave të interesit.

 

Portofoli i kredisë për jorezidentët ën fund të muajit mars kishte vlerën e 43.6 miliardë lekëve, në rënie me 1 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Ndërkohë, investimet në tituj të emetuesve të huaj kanë shënuar rritje më të ngadaltë vitin e kaluar, tendencë kjo e ndikuar nga pasiguria prej rritjes së shpejtë të normave të interesit.

 

Një sjellje e tillë hezituese u vërejt edhe në rënien e investimeve në instrumentet afatgjata në lekë të qeverisë shqiptare, sidomos në gjysmën e dytë të vitit të kaluar./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/bankat-rrisin-kredine-per-ekonomine-ne-valute-ulin-investimet-jashte-vendit/


Më të lexuarat