Secondary Adv

Energjia diellore, 0.6 per qind e energjise totale u prodhua nga centralet fotovoltaike

Shifrat e 3-mujorit të parë tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 16.515 mWh energji.

 

Të dhënat për prodhimin e energjisë nga dielli mbeten modeste, në raport me energjinë e prodhuar nga burimet ujore, teksa për 3 – mujorin e parë të këtij viti sasia e prodhuar nga impiantet fotovoltaike arriti në 0.6% të totalit.

 

Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë është shënuar një rritje e lehtë, duke qenë se për 3-mujorin e parë të vitit 2022 sasia e gjeneruar nga këto centrale përbënte 0.45% të totalit.

 

Sipas të dhënave zyrtare, numri i impanteve që prodhojnë energji nga dielli nuk ndryshon prej vitesh, duke mbetur në 11, teksa kapaciteti total i instaluar është 23 MW, duke përfshirë edhe Kompaninë e Ujësjellës – Kanalizimeve Korçë, që prodhon energji për qëllime autokonsumatore.

 

Gjithsesi, gjatë vitit të fundit është rritur numri I licencimeve nga ana e Entit Rregullator të Energjisë, duke sugjeruar se pas ndërtimit të tyre këto impiante do të hyjnë në prodhim.

 

Shifrat e 3-mujorit të parë tregojnë se në total nga centralet diellore u sigurua 16.515 mWh energji.

 

Ndonëse kjo sasi është tejet e ulët në raport me atë të prodhuar nga hidrocentralet, ajo merr një rëndësi të veçantë në drejtim të diversifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë.

 

Kjo pasi, vendi ynë është i varur nga energjia e prodhuar nga uji, çka në periudha thatësirash pasohet me fatura tejet të kripura të importit të energjisë për plotësimin e nevojave konsumatore./Burimi: Scan TV


Më të lexuarat