Tenderi 22 mln euro per aksin e korridorit VIII, ARRSH shpall fituesin
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituesin e tenderit 22 mln euro për fazën e dytë të zgjerimit të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII.
Sipas dokumenteve zyrtare, 2 kompanitë e tjera garuese u skualifikuan për mosplotësim kriteresh. Ndërkohë që, fitues u shpall oferta prej rreth 2.4 mld lekë, pa TVSH, nga bashkimi i 4 operatorëve.
Sipas dokumenteve të tenderit gjatësia e segmentit është 3.84 km, ndërkohë që paratë e vëna në dispozicion nuk mjaftojnë për asfaltimin, duke specifikuar se punimet për këtë shtresë rruge nuk janë objekt i këtij tenderi.
Aksi fillon në fshatin Mirakë dhe përfundon 600 m përpara urës të Murrashit, ndërkohë që referuar grafikut të punimeve do të duhen 2 vjet për përfundimin e tij.
Ky është segmenti i dytë për të cilin u zhvillua tenderi, teksa në segmentin e parë, që ka një gjatësi prej rreth 5 km në fillim të këtij viti nisën punimet.
Në total, gjatësia e rrugës nga Elbasani në Qafë Thanë është 50.12 km, por të paktën për 1 segment nuk ka nisur ende as faza e projektimit, duke qenë se aktualisht është duke u zhvilluar tenderi për këtë qëllim.
Në dokumentet e tenderit rruga Elbasan – Qafë Thanë përshkruhet si shumë e rëndësishme në drejtim të turizmit dhe zhvillimit ekonomik, por shpesh herë me një trafik të rënduar dhe me gjendje jo të mirë të parametrave teknikë./Burimi: SCAN