Secondary Adv

Veliaj inspekton Akademine e Futbollit ne Petrele

Qyteti i Tiranës shumë shpejt do të ketë një tjetër ambient të ri multifunksional sportiv. Në Petrelë ka filluar ndërtimi i Akademisë së Futbollit, një kompleks modern që do të ketë si qëllim edukimin e brezit të ardhshëm të sportistëve në kryeqytet.

Kompleksi do të shtrihet në një sipërfaqe prej 38000 m² truall, e rrethuar nga 32000 m² sipërfaqe kullotë. Në të parashikohet të ndërtohet një akademi sporti me kapacitet prej 900 nxënësish, tre fusha futbolli, një fushë komplekse për kamp veror, një qendër për spa-fitness, një hotel për skuadrat sportive, ambiente zhveshjeje në shërbim të fushave të futbollit, një tribunë me kapacitet 200 persona, një pishinë olimpikepër qëllime stërvitore dhe rekreacionale, një pishinë për fëmijë, një fushë volejbolli në rërë, një fushë basketbolli dhe një fushë tenisi.



Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ka ndjekur dje nga afër punimet në këtë kompleks, ku iu prezantua projekti nga Redi Jupi, trajneri i kombëtares shqiptare U-21, që në këtë rast është në rolin e investitorit për ndërtimin e tij. “Është një strukturë që do të mbështesë aktivitetet e fëmijëve të Tiranës, të cilat mungojnë shumë”, shpjegoi Jupi. “U nisa fillimisht për të ndërtuar një akademi, por e shikoj që kemi fëmijë gjatë gjithë verës. Mendoj se kjo strukturë mund të plotësojë shumë nga nevojat e fëmijëve. Shpresojmë që edhe me ndihmën tuaj ta përfundojmë sa më shpejt”, tha ai.

Veliaj shprehu gatishmërinë e tij për të vënë në ndihmë të kësaj iniciative kapacitetet e bashkisë, që ka si prioritet masivizimin e sportit. “Është fatkeqësi që sot 20% e fëmijëve, por edhe e të gjithë qytetarëve të Tiranës, vuajnë nga obeziteti, çka përkthehet në sëmundje kardiovaskulare, në jetë më të shkurtër, në kosto për shëndetin etj. Kjo nuk shkon! Çdo qindarkë e investuar në sport është shumë më pak nga ajo çfarë do të na duhet të investojmë nesër për të kuruar një jetë të pashëndetshme. Ne duam që të futemi në partneritete të tilla publike dhe private, sepse në fund, interesi dhe përfitimi është publik. Jam shumë i ndërgjegjshëm edhe për debatet që ka sot për sportet elitare dhe ekipet e afirmuara të qytetit të Tiranës. I qëndroj asaj që kam thënë përpara se të zgjidhesha kryetar bashkie, që në Tiranë synojmë të mbështesim në mënyrë proporcionale të gjitha ekipet, pa pasur ekskluzivitet, por duke u siguruar që ekskluzivitet kanë të gjithë fëmijët e Tiranës dhe të gjithë sportdashësit e qytetit”, tha Veliaj gjatë kësaj vizite.


Më të lexuarat