Secondary Adv

TEDA Koplik, Financat hapin garen per investitoret e interesuar

Zhvillimi i zonave teknologjike dhe ekonomike në vend ka qenë një proces që nuk ka rezultuar shumë i suksesshëm pavarësisht procedurave konkurruese të hapura vit pas viti.

 

Së fundmi qeveria po tenton që të kalojë tek investitorët e interesuar zonën teknologjike dhe zhvillimit ekonomik të Koplikut në Malësinë e Madhe. Ministria e Financave njoftoi se ofertat nga investitorët e interesuar do të priten deri në 10 korrik.

 

Vlerësimi i kompanive do të bëhet përmes një sistemi pikëzimi ku pjesën më të madhe e merr kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit me 40 pikë dhe më pas vjen propozimi teknik për ndërtimin e zonës.

 

“Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin: 99 (nëntëdhjetë e nëntë) vjet. Vendndodhja e objektit të kontratës: Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik Koplik, Malësi e Madhe, ndodhet në veri të qytetit të Koplikut. 

 

Sipërfaqja prej 61 (gjashtëdhjetë e një) ha i përket zonës kadastrale nr. 2220 dhe nr. 2221, Koplik. Kjo zonë është shpallur me VKM-në nr. 463, datë 22.6.2016, “Për shpalljen e Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik në Koplik, Malësi e Madhe”, të ndryshuar” përcaktohet në njoftimin e Financave.

 

Për herë të parë TEDA Koplik u shpall me një vendim të vitit 2016. Ky vendim përcaktonte se të paktën 15 njësi kadastrale ishin pjesë e zonës kryesisht toka arrë dhe kullota.

 

Veprimtaritë që do të zhvillohen në këtë zonë do të jenë kryesisht të llojit: prodhuese, industriale dhe agropërpunimi; tregtare dhe magazinimi mallrash dhe shërbime.

 

Ndërsa periudha e funksionimit do të jetë 99 vjet dhe mund të jepet me qira me çmimin simbolik “1 euro”. Për zonën ekonomike të Koplikut më herët kanë shfaqur interes sipërmarrje nga Maqedonia e Veriut dhe Turqia.

 

Zona teknologjike dhe zhvillimore e Koplikut ka një pozicion strategjik pasi krijon ndërlidhje me Malin e Zi, Serbisë dhe Kosovës. Distanca e saj nga Porti i Shëngjinit është 45 km, nga Porti i Barit në Mal të Zi 34 km dhe 127 km nga Porti i Durrësit.

 

Në vend aktualisht ka zona të tjera teknologjike zhvillimore si ajo e Spitallës apo ajo e Tiranës në Kasharr që ka marrë edhe statusin e investimit strategjik./Burimi: Monitor https://www.monitor.al/teda-koplik-financat-hapin-garen-per-investitoret-e-interesuar/


Më të lexuarat