Secondary Adv

21.31 per qind e energjise humbi ne rrjet, ERE: Ulje ne raport me 1 vit me pare

21.31% e energjisë elektrike të shpërndarë humbi në rrjet gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë, nga rreth 2.5 mln mWh energji totale e hyrë në rrjetin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, 588 752 mWh shkuan për mbulimin e humbjeve.

 

Këto të dhëna tregojnë një rënie, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i humbjeve rezultonte në 24.15%. Por, gjithsesi ky tregues mbetet në nivele të larta, duke i kushtuar financave publike miliona euro humbje.

 

Ndërkohë që, për periudhën janar – mars të këtij viti, reduktimi i humbjeve duket se reflekton uljen e konsumit me 10.1% që u shënuan gjatë kësaj periudhe dhe jo rritjen e cilësisë së rrjetit, që mund të vinte nga investimeve të kryera.

 

Kjo, duke marrë në konsideratë faktin që humbjet në rrjetin e shpërndarjes vijnë kryesisht si pasojë e rrjetit të amortizuar, por edhe vjedhjeve.

 

Reduktimi i humbjeve në rrjet kërkon investime, por përmes vendimit për shpalljen e gjendjes së emergjencës, qeveria ka urdhëruar kompanitë publike të pezullojnë investimet.

 

Gjithsesi edhe plani për reduktimin e tyre parashikon përmirësime të vogla deri në vitin 2026, duke qenë se sipas treguesve të rishikuar në vitin 2026 ky tregues duhet të arrijë në 17.8%.

 

Plani i ri është larg atij të miratuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit elektorenergjetik, të përcaktuar në kredinë e marrë gjatë vitit 2014 nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që vendoste targete më ambicioze në këtë drejtim./Burimi: SCAN


Më të lexuarat