Secondary Adv

BB rrit parashikimet per Shqiperine, ekonomia do zgjerohet me 2.8 per qind

Banka Botërore ka rritur projeksionet për ekonominë shqiptare këtë vit, sinjalizon raporti më i fundit i perspektivës së ekonomisë globale.

 

Sipas këtij raporti, rritja ekonomike në vendin tonë gjatë vitit aktual do të jetë pranë 2.8%, në rritje me 0.6 pikë përqindje krahasuar me projeksionet e janarit të këtij viti.

 

Sa i përket vitit të ardhshëm, projeksionet flasin për një rritje ekonomike në 3.3%, në zhvlerësim krahasuar me janarin, me vetëm 0.1 pikë përqindje.

 

Edhe sa i përket vitit 2025, rritja ekonomike në vendin tonë projektohet pranë 3.3%, sinjalizon institucioni me bazë në Ëashington në raportin e sapo publikuar. Krahasuar me rajonin, Shqipëria duket në pozita disi të favorshme në drejtim të rritjes ekonomike.

 

Shifrat sinjalizojnë një rritje ekonomike pranë 2.6% për vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë këtij viti, çka tregon se vendi ynë pritet të zgjerohet me një hap më të shpejtë se rajoni.

 

Edhe për vitin e ardhshëm vlen e njëjta gjë. Kosova projektohet të jetë vendi me rritjen më të lartë në rajon, prej 3.7% këtë vit. Për Kosovën projeksionet mbeten të pandryshuara krahasuar me ato të janarit të këtij viti.

 

Veç Kosovës, vetëm Mali i Zi projektohet të ketë një rritje më të lartë së Shqipëria këtë vit, pranë 3.7%. Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia pritet të regjistrojnë terma rritje ekonomike më të ulta se Shqipëria.

 

Sa i përket normës së inflacionit, sipas Bankës Botërore këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të vijojë të mbetet pranë rreth 5%, pra mbi objektivin e Bankës Qendrore.

 

Kriza e çmimeve i ka dhënë një goditje të rëndësishme rritjes ekonomike, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën, si pasojë e uljes së konsumit.

 

Për këtë arsye, normat e rritjes kanë zbritur nga nivelet e larta të dy viteve të kaluara, poshtë nivelit të 3% sipas projeksioneve për kjëtë vit.

 

Gjithsesi, Shqipëria rezulton të jetë i vetmi vend në rajon për të cilin Banka Botërore ka rishikuar në rritje projeksionet, çka sinjalizon se zymtësia e janarit është zëvendësuar me një frymë më optimsite për vendin tonë.

 

Edhe pse Banka Botërore nuk jep sqarime në raport mbi përmirësimin e parashikimeve, me shumë gjasa ka ndikuar rritje më e lartë ekonomike gjatë dy viteve të kaluara, zbutja e inflacionit dhe boom-i i turizmit./Burimi: SCAN


Më të lexuarat