Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar nga qeveria që të njetë korrekte me pagesat që duhet të bëjë ndaj ish-pronarëve të cilët e kanë fituar çështjen përballë shtetit në këtë gjykatë.
E në këto kushte ekzekutivi është gjendur në një situatë të vështirë duke miratuar në mbledhjen e fundit një sërë vendimesh që lidhen ose me kryerjen e pagesave ndaj ish pronarëve ose shlyerjen edhe të interesave për vonesat në pagesë të detyrimeve.Konkretisht janë pesë çështje për shlyerje të drejtpërdrejtë të detyrimit të miratuar që shkon në disa mijera euro. Në rast se detyrimi nuk paguhet brenda afatit 3 mujor ndaj tij shtohen edhe pagesa interesi prej 3 për qind. Kursi mesatar i konvertimit të vlerës nga euro në lekë bëhet sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
Një tjetër vendim qeverie përmbledh 13 çështje në një duke sanksionuar pagesë interesash mbi vlerën e pashlyer të detyrimit si kompensim prone. Mes tyre bie në sy edhe vendimi i parë i dhënë nga Gjykata e Strazburgut që shërbeu edhe si vendim pilot që është ai i Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë. Aktualisht në vend po vijohet me procesin e kompensimit sipas ligjit të ri ndërkohë që ligji është çuar në Gjykarën Kushtetuese nga Presidenti i Shqipërisë.