Tronditet kursi, euro humbi 2.5 pike ndaj lekut vetem brenda javes
Euro e ka mbyllur këtë javë me rënien më të fortë të regjistruar këtë vit, teksa sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë ka humbur plot 2.5 lekë.
Valuta evropiane fiksohet në kuotën e 105.6 lekëve, teksa 1 muaj më parë varionte në kufijtë e 111 lekëve, një rënie me 4.8%. Mbiçmimi i lekut është ndjerë tek thuajse të gjitha valutat e tjera, duke nisur nga dollari amerikan, që zbriti sot në 98 lekë dhe paundi britanik nën 123 lekë.
Zhvlerësimi i valutave gjatë kësaj jave përkon edhe me procedurat e qeverisë për emetimin e eurobondit prej 600 milionë eurosh në treg, 100 milionë euro më shumë se sa parashikimi fillestar.
Kjo i bën agjentët të presin një likuiditet më të madh të valutës përgjatë pjesës së mbetur të vitit, ndërsa sigurisht nuk përjashtohet as efekti psikologjik.
Teksa rënia e fortë e euros ka humbës dhe përfitues, elementët pozitivë duket se po shijohen vetëm nga tregtarët dhe më pak nga ata që kanë kredi në euro.
Por për eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve, ata që kanë depozita në valutë dhe familjet që marrin para nga emigrantët, rënia po përkthehet javë pas jave në më pak të ardhura në dispozicion./Burimi: A2CNN